Projekti që “gllabëron” para, 32,6 milionë euro për 10 vjet

Sheshi kryesor në qendër të Tiranës ka pësuar ndryshime të shumta përgjatë shekullit të fundit, nga pushtimi austro-hungarez në Luftën e Parë Botërore, tek periudha e monarkisë, regjimi komunist, e deri tek forma e tij e sotme.

I konsideruar si qendra kulturore, ekonomike e politike e vendit, ai u kthye dekadën e fundit në një betejë mes qeverive, që kanë sjellë plane e kanë bërë ndryshime me çdo ndërrim pushteti. Projekti i shqyrtimit të fakteve, faktoje.al sjell një faturë të tenderimeve e kostove të tjera që nga viti 2008 e deri më sot. Sa u ka kushtuar shqiptarëve ky shesh?

“Sheshi Skënderbej në total ka kushtuar 32.6 milionë euro. Nisi në vitin 2008 kur Edi Rama ishte Kryebashkiak, i cili nisi të realizonte një projekt me vlerë 6 milionë euro. Më pas vjen Basha në krye të Bashkisë së Tiranës, i cili sjell një projekt të tijin, një projekt provizor që kapi një kosto prej 6.6 milionë eurosh. Në vitin 2015 kur kryetar bashkie bëhet Erion Veliaj, ai solli përsëri projektin e Ramës me disa ndryshime dhe kostoja totale nga viti 2016 kur u dha tenderi për kompaninë fusha dhe deri më sot ka shkuar në vlerën e 20 milionë eurove”, shpreh gazetari Andi Bora.

Edhe pse tashmë kryeqyteti e ka një plan urbanistik, është ende e paqartë nëse sheshi Skënderbej do të ruajë identitetin aktual, apo do t’i nënshtrohet sërish ndryshimeve e punimeve shtesë, në dëm të xhepave të shqiptarëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2