“Debat”, Peka: S’ka zgjedhje lokale para të përgjithshmeve. Shameti: Kjo qeveri deri në 2021-shin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha sot mandatin e deputetit edhe pesë kandidatëve të tjerë nga listat e PD-së dhe LSI-së. Vendet e lëna bosh pas djegies së mandateve nga këto dy parti, po plotësohen nga kandidatët e këtyre forcave politike, që pavarësisht vendimit politik, kanë vendosur të futen në Parlament.

E ndërkohë, një tjetër kandidat nga listat zgjedhore të PD-së ka vendosur të pranojë mandatin e deputetit, ai është Alban Zeneli. Një lëvizje surprizë kjo, pasi Zeneli ka qenë i pranishëm në çdo protestë të fundit të Partisë Demokratike. A do të ketë të tjerë si zoti Zeneli që do të dalin nga rreshti i Partisë?

Ndërkohë që Partia Demokratike po përgatitet për protestën e 16 marsit, e cila sipas Lulzim Bashës, do t’i japë fund regjimit të Edi Ramës, qeveria vazhdon e qetë në dukje programin e saj. E ndërsa pritet seanca plenare e të mërkures, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi në mungesë të Kryeministrit Rama ka porositur sot deputetët dhe ministrat që gjatë seancës të mos diskutohet asgjë në lidhje me opozitën. Java ka nisur me përplasje dhe protesta kryesisht për pronën dhe të drejtën mbi të.

Për të folur për këto zhvillime ishin përballë njëri-tjetrit në “A2 Debat” Adnor Shameti, deputet i Partisë Socialiste dhe Çim Peka, analist.

Për deputetin e Partisë Socialiste, Shqipëria do të vazhdojë të drejtohet nga kjo qeveri deri në vitin 2021, ndërsa ai komenton edhe vendimin e deputetëve që nuk pranuan lënien e mandateve si dhe kandidatëve që u futën në Parlament.

“Qëndrimi është individual që i takon atyre forcave politike dhe nuk ka asnjë lloj lidhje me drejtimin e punëve të shtetit nga ana e qeverisë. Qëndrimi ynë ka qenë i palëkundur, Shqipëria do të vazhdojë të drejtohet nga kjo qeveri deri në vitin 2021, ndërsa në 30 qershor janë zgjedhjet lokale. Në këtë sistem duhet të zbatohet vetëm Kushtetuta. Aty është përcaktuar qartë se listat e deputetëve përpilohen nga drejtuesit e partive politike dhe përgjegjësia është e tyre për zgjedhjen e kandidatëve. Qëndrimet individuale të deputetëve pasues të listave janë zbatim i ligjit. Nuk shoh asnjë çudi në këtë pikëpamje. Shpallja armiq e këtyre personave, është qëndrim individual i liderëve të këtyre partive”, u shpreh deputeti i PS.

Por për Çim Pekën nuk është aspak kështu. Sipas tij, vendimi nuk është individual, por kolegjial i strukturave të këtyre partive për të djegur mandatet.

“Mandatet janë të opozitës dhe për to vendos opozita. Ne nuk kemi demokraci funksionale. Në 30 vjet është hera e parë që pavarësisht perceptimeve, që nuk janë hetuar zgjedhjet. Është hetuar krimi nga strukturat e policisë së kësaj mazhorance. Nga hetimet kanë dalë zgjedhjet. Prej dy vitesh Prokuroria i mban të bllokuara këto çështje dhe nuk i heton. Ta harrojë se ka zgjedhje lokale para zgjedhjeve të përgjithshme”, tha Peka.

Shkarkoni aplikacionin e A2