Eurostat: 1/3 e ekonomisë shqiptare shkon për bukë

Shqipëria shpenzon 31% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar për t’u ushqyer. Janë shifrat e Institutit Europian të Statistikave që tregojnë qartazi nivelin e ulët të jetesës në Shqipëri dhe faktin se ne e përdorim pjesën më të madhe të parave që kemi në dispozicion për t’u ushqyer.

E thënë ndryshe, jetojmë për t’u ushqyer. Ndërsa në Shqipëri ky tregues është 31% e GDP-së, mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian është vetëm 6%. Me këtë nivel, ne renditemi shumë më lart edhe se vendet e tjera të rajonit.

Një vend me një nivel kaq të lartë të shpenzimeve për ushqim tregon varfërinë e thellë që e karakterizon. Vetëm pasi plotëson nevojat primare, ato të të ushqyerit, një familje fillon e mendon për shpenzime të tjera, ku vendin e fundit e zënë ato për udhëtime, apo luks e argëtim.

Sa para shpenzojnë shqiptarët për t’u ushqyer?

INSTAT: Buxheti mujor i një familje, 44,1% për ushqim

Një familje shqiptare e shpenzon pjesën dërrmuese të buxhetit mujor për t’u ushqyer. Më saktësisht, 44,1% të totalit të të ardhurave që ka. Kjo është shifra që jepet zyrtarisht nga Instituti i Statistikave. Zëri i dytë për të cilin shqiptarët shpenzojnë më shumë është qira, ujë dhe drita me 10,9% të totalit të buxhetit mujor, pasuar nga transporti me 7,2%, shëndeti dhe arsimi me 3,9% secili. Për komunikimin një familje shpenzon 3,4% të të ardhurave mujore dhe për pije alkoolike dhe duhan 3.5%. të gjitha shpenzimet e tjera, jashtë këtyre grupeve zënë 23.1% të të ardhurave mujore.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN