Rritet papunësia, por edhe paga mesatare

Papunësia u rrit për herë të parë në Shqipëri që nga 2015-ta. Sipas INSTAT, 12,3% e popullsisë mbi 15 vjeç deklarohet si e papunë. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave, tregojnë se shkalla e papunësisë u rrit kundrejt fundit të 2018-ës, ndonëse rezulton me rënie kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Sektorët e ekonomisë që vijojnë të gjenerojnë vende pune dhe të zbusin papunësinë janë shërbimet dhe industria, ndërsa bujqësia po shënon ritme negative, me shtim të numrit të të papunëve.

Nga ana tjetër, sipas INSTAT në Shqipëri janë rritur edhe pagat. Raportohet se paga mesatare bruto ka arritur në 52 312 lekë, duke shënuar një rritje prej 3,4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. E thënë më thjesht, mesatarisht një i punësuar merr në fund të muajit rreth 1600 lekë më shumë.

Megjithatë, diferenca të forta ka mes sektorit publik dhe atij privat. Një punonjës i administratës shtetërore paguhet mesatarisht 16 mijë lekë më shumë se një i punësuar në biznes privat. Rritja më e madhe e pagave konstatohet në fushën e argëtimit, tregtisë dhe atë të teknologjive të informacionit, ndërsa në ndërtim ka shënuar rënie. Paga mesatare është në zbritje edhe për punonjësit e forcave të armatosura.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN