Rudina Hajdari s’e dorëzon mandatin: Parlamenti i jep oksigjen demokracisë

Rudina Hajdari nuk do ta djegë mandatin e deputetit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo ka zyrtarizuar qëndrimin e saj, duke u shprehur se Parlamenti i jep oksigjen demokracisë.

“Unë mendoj që parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, i jep oksigjen partive politike. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri shumë e lartë, që unë ndjej mbi shpatulla, mendoj që qëndrimi në parlament do të ishte vendimi më i duhur, që do i bëja dhe shërbeja të ardhmes së Shqipërisë”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse ka frikë se mos përjashtohet nga Partia Demokratike, Rudina Hajdari është shprehur se edhe babai i saj është përjashtuar dy herë nga PD dhe kjo gjë nuk e frikëson.

“Dua t’i kujtoj PD-së që nuk është hera e parë që përjashton anëtarë, ka ndodhur me tim atë, dy herë dhe më duhet të theksoj se ata janë penduar. Im atë është kryetari historik i PD-së. Ai është përjashtuar dy herë nga PD dhe PD-ja është penduar. Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh. Unë nuk mund të ndjek një vendim kolegjial që shkon kundra frymës së Kushtetutës dhe interesit. Më vjen keq nëse zhgënjej partinë, por do të zgjedh interesin e Shqipërisë”, tha Rudina Hajdari.

Shkarkoni aplikacionin e A2