Biznesi i vogël në vështirësi, më pak investime

Përkeqësohet situata e biznesit të vogël. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë për rënie të shitjeve, të të punësuarve dhe investimeve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Aktualisht, këto biznese përbëjnë 99,8% të totalit të ndërmarrjeve aktive në vend. Pesha e tyre ka pësuar një tkurrje të lehtë gjatë vitit 2017. Sektori i tregtisë ka peshën më të madhe me 41.4 %, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 20.8 %.

INSTAT konstaton se 80,3 % e të punësuarve në vend janë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nga 81% që ishte në vitin e kaluar. Në rënie janë edhe shitjet. Gjatë vitit 2017, nga këto biznese u realizuan 77,2 % të shitjeve neto nga 77,8 % që ishte ky tregues një vit më parë. Një tkurrje të fortë kanë investimet nga 74,9% në 60,1 %.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë një segment shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Kjo kryesisht në drejtim të punësimit, pasi bëhet fjalë për të vetëpunësuar dhe për biznese familjare.