Ilir Yzeiri: Basha thotë se dua nuse dhe e dua sot!

I ftuar në “A2 Debat” gazetari dhe pedagogu Ilir Yzeiri, teksa foli për zhvillimet politike në vend, u shpreh se edhe Lulzim Basha duhet të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar.

“Më 17 maj, Lulzim Basha pa pyetur asnjë njeri në këtë botë, u mbyll për orë të tëra me Edi Ramën duke bërë një marrëveshje. Më pas, u mbyll edhe në zyrën e tij dhe hartoi një listë me deputetë ku bëri çorap dynjanë. E pasi mori çfarë deshi, 6 ministra e të tjerë. Edi Rama ia hodhi, mblodhi kriminelët, por ky njeri që u tregua budalla, që u tregua idiot, nuk paska faj? Ky njeri nuk ndjen përgjegjësi e të thotë: Zotërinj, unë gabova! Jam i paaftë! Urdhëroni çelësat. Vitin tjetër ta çojë përpara. Ç’është ky njeri që nuk ndjen pikën e përgjegjësisë?! Kujt i tregon moral tani ky, duke dalë nëpër Shqipëri e duke thënë, ‘unë jam e vërteta’. Si qenke e vërteta ti? Ti je mashtrues. Ti na ke mashtruar të gjithëve. Ti trembe, i largove, 200 mijë demokratë që nuk shkuan të votojë. Tani thotë, unë dua nuse dhe e dua sot! Por jo zotëri, ti ke një përgjegjësi. Partia Demokratike në Itali ka ndërruar 7, kjo është logjike. Ç’është ky njeri që thotë unë do të rri këtu?! E gjithë kjo është një luftë e egër politike dhe publiku është indiferent. Kjo luftë politike është e lokalizuar dhe shyqyr është kështu. Të përplasen dhe mbase vendi fiton. Por kurrë nuk do të bëhet si 1997-ta”, u shpreh Yzeiri.

Ndërkohë, e ftuar ishte edhe Oriola Pampuri, anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike, e cila reagoi duke thënë se marrëveshja e 17 majit u bë për të mosdestabilizuar vendin, ndërsa sipas saj, Edi Rama nuk i mbajti premtimet.

“Unë dua të përdor një shprehje se ne mundohemi të mbysim tjetrin dhe të ecim mbi tjetrin, të mbijetojmë mbi atë që kemi bërë mbi tjetrin. Por mbijetesa është e dhimbshme dhe jo jetëgjatë. Ne nuk mundemi të besojmë fakte që janë të pabazuara. Marrëveshja e 17 majit u bë për një arsye që është argumentuar. Një pakt për të mosdestabilizuar vendin, me një kusht që zgjedhjet do të ishin të pastra. Por kryetari i mazhorancës nuk u tregua njeri. Nuk mbajti asgjë nga ato që premtoi dhe këtë e vërtetoi edhe raporti i OSBE-ODIHR”, reagoi Pampuri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN