Këmbimi valutor, euro stabilizohet në treg

Pas një forcimi momental të fund të muajit shkurt, ku regjistroi edhe vlerën më të lartë të 5 muajve të fundit, monedha europiane është stabilizuar sërish në kuotën e 124,6 lekë.

Rritja kalimtare ndodhi për shkak të transferimit të fitimeve të kompanive të huaja në vendet mëmë, çka shtoi kërkesën për valutë. Këta faktorë tashmë nuk po ndikojnë më dhe tregu valutor i është kthyer normalitetit, i karakterizuar gjatë gjithë vitit 2018 e në vijim nga kërkesa anemike.

Agjentët në tregun e këmbimit presin që euro të luhatet në nivelet aktuale, midis 124 dhe 125 lekëve. Kjo të paktën deri në fillim të sezonit turistik, kur pritet të kthehet në trend rënës, për shkak të shtimit të ofertës nga valuta që do të sjellin turistët dhe emigrantët. Krahasuar me një vit më parë, kur euro këmbehej me 131,8 lekë, zhvlerësimi i monedhës së fortë llogaritet në 5,5%.