Mjekët në protestë: Duam siguri në punë, stop dhunës

Pas rasteve të përsëritura të dhunës në spitale, mjekët e qendrës spitalore “Nënë Tereza” dalin sërish në protestë.

Ata kërkojnë siguri dhe kushte në punë, ndërsa fajësojnë shtetin për politikat e gabuara në shëndetësi. Mjeket propozuan që edhe në shëndetësi të ketë vendime si ato që u morën për futbollin.

“Nëse dikush që futet në fushën e futbollit dënohet me 3 vjet burg, ai që cenon figurën e mjekut i ka pak 30 vjet burg”, shprehet Tritan Kalo, mjek infeksionist.

“Sot jemi në kushte shumë të vështirë që mjekët dhunohen, mjekët persekutohen, mjekët ikin nga Shqipëria, pasi politikat e ndërmarra janë të gabuara”, thotë Ibrahim Bruka, mjek kirurg.

“Nëse kushtetuta na jep të drejtën për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve, atëherë si personel mjekësor, kemi të drejtë të kërkojmë ambiente pune me tolerancë zero ndaj dhunës. Ne kemi nevojë të ndryshojmë drastikisht kulturën e punës dhe të sigurisë në punë”, tha Arjan Harxhi, mjek infeksionist.

Protesta një orëshe e mjekëve u mbështet edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Zëvendësministrja, Mira Rakacolli, njëherësh mjeke, kërkoi ashpërsimin e dënimeve për personat që dhunojnë mjekët.

“Po kërkohen ndryshime në kodin penal që i bëjnë më të rënda dënimet ndaj atyre që ushtrojnë dhunë ndaj mjekëve”, tha Rakacolli.

Numri dy i shëndetësisë kërkoi nga qytetarët të respektojnë regjimin e ri të vizitave në spitale, ku familjarët nuk do të lejohen të shoqërojnë të afërmit në urgjenca nëse nuk ua kërkon mjeku. Ky vendim, por dhe protestat e mjekëve vijnë pas rasteve të përsëritura të dhunimit të mjekëve gjatë punës së tyre.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN