Opozita në protestë, PS dhe aleatët përgatiten për 30 qershorin

Partia Demokratike po bëhet gati për protestën e 16 marsit me të cilën thotë se do të rrëzojë Edi Ramën. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka mbledhur aleatët, të cilët me anë të një deklarate kanë lajmëruar hartimin e një platforme dhe shprehen për fitore në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ndërkohë që Lulzim Basha bën thirrje për pakt kombëtar, kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt, bëri apel sot për protestë paqësore dhe e quajti një proces normal atë që po ndodh me pasuesit në listat shumë-emërore të opozitës, që po marrin mandatin e deputetit të cilëve sot u është bashkuar një tjetër eksponent i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni.

A mund të votohet reforma zgjedhore edhe me opozitarët e rinj që po futen në parlament? Borchardt thotë se për miratimin e reformës zgjedhore nevojitet një shumicë e cilësuar prej 84 votash. Do të ishte e ligjshme që të votohej, por a do të ishte një vendim politik i mençur?

Për të diskutuar për zhvillimet politike në vend e për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ishin të ftuar në “A2 Debat”: Oriola Pampuri anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike dhe Ilir Yzeiri gazetar, pedagog.

Pampuri u shpreh se qytetarët do të jenë më të shumtë në protestën e 16 marsit. Ajo thotë se tashmë motivi i tyre është më i madh.

“Jemi në të gjithë në terren dhe motivimi i qytetarëve është edhe më i madh. Ka edhe një fakt tjetër, ish-deputetët janë në krah të tyre. Vullneti i tyre ishte lënia e mandateve. Qytetarët më kanë kërkuar që të lëmë mandatet. Në 2019-ën, një parlament i inkriminuar, është ilegjitim”, tha Pampuri.

Ilir Yzeiri u shpreh se e gjitha është një luftë politike e lokalizuar. Ai u rikthye te marrëveshja e 17 majit, duke thënë se edhe Lulzim Basha duhet të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar.

“Më 17 maj, Lulzim Basha pa pyetur asnjë njeri në këtë botë, u mbyll për orë të tëra me Edi Ramën duke bërë një marrëveshje. Më pas, u mbyll edhe në zyrën e tij dhe hartoi një listë me deputetë ku bëri çorap dynjanë. E pasi mori çfarë deshi, 6 ministra e të tjerë. Edi Rama ia hodhi, mblodhi kriminelët, por ky njeri që u tregua budalla, që u tregua idiot, nuk paska faj? Ky njeri nuk ndjen përgjegjësi e të thotë: Zotërinj, unë gabova! Jam i paaftë! Urdhëroni çelësat. Vitin tjetër ta çojë përpara. Ç’është ky njeri që nuk ndjen pikën e përgjegjësisë?! Kujt i tregon moral tani ky, duke dalë nëpër Shqipëri e duke thënë, ‘unë jam e vërteta’. Si qenke e vërteta ti? Ti je mashtrues. Ti na ke mashtruar të gjithëve. Ti trembe, i largove, 200 mijë demokratë që nuk shkuan të votojë. Tani thotë, unë dua nuse dhe e dua sot! Por jo zotëri, ti ke një përgjegjësi. Partia Demokratike në Itali ka ndërruar 7, kjo është logjike. Ç’është ky njeri që thotë unë do të rri këtu?! E gjithë kjo është një luftë e egër politike dhe publiku është indiferent. Kjo luftë politike është e lokalizuar dhe shyqyr është kështu. Të përplasen dhe mbase vendi fiton. Por kurrë nuk do të bëhet si 1997-ta”, u shpreh Yzeiri.

Por Pampuri reagoi duke thënë se marrëveshja e 17 majit u bë për të mosdestabilizuar vendin, ndërsa sipas saj, Edi Rama nuk i mbajti premtimet.

“Unë dua të përdor një shprehje se ne mundohemi të mbysim tjetrin dhe të ecim mbi tjetrin, të mbijetojmë mbi atë që kemi bërë mbi tjetrin. Por mbijetesa është e dhimbshme dhe jo jetëgjatë. Ne nuk mundemi të besojmë fakte që janë të pabazuara. Marrëveshja e 17 majit u bë për një arsye që është argumentuar. Një pakt për të mosdestabilizuar vendin, me një kusht që zgjedhjet do të ishin të pastra. Por kryetari i mazhorancës nuk u tregua njeri. Nuk mbajti asgjë nga ato që premtoi dhe këtë e vërtetoi edhe raporti i OSBE-ODIHR”, reagoi Pampuri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN