Parlamenti britanik rrëzon për herë të dytë marrëveshjen e “Brexit”-it

Vetëm 17 ditë përpara shkëputjes së pritshme të Britanisë nga Bashkimi Europian, ligjvënësit kanë refuzuar për të dytën herë kryeministres Theresa May për “Brexit”-in.

391 ligjvënës në Dhomën e Komunëve votuan kundër, ndërsa 242 vota ishin pro, duke refuzuar planin e Theresa May-t. Në një situatë të panjohur, Britania tashmë rrezikon nga një kaos ekonomik.

May tha se qeveria e saj, të mërkurën, do të dërgojë një mocion në parlament në mënyrë që ligjvënësit të vendosin nëse do të mbështesin braktisjen e BE-së më 29 mars pa një marrëveshje. “Nëse kjo dështon atëherë duhet të vendoset nëse do të ketë shtyrje të Brexit-it”, deklaroi May.

Gjatë së martës, Brukseli u dakordësua për ndryshime ligjërisht të detyrueshme në bisedimet e zhvilluara në Strasburg. Juncker paralajmëroi se nëse ujdia do të refuzohej sërish nuk do të kishte një shans të tretë. “Në politikë ndonjëherë të jepet një mundësi e dytë. Ka shumë rëndësi se si do ta shfrytëzoni pasi nuk do të ketë shans të tretë. Nuk do të ketë interpretime apo siguri të tjera”, paralajmëroi Juncker.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN