Prokuroria do të jepte konkluzionet, shtyhet seanca për Balilin

Shtyhet seanca gjyqësore për Kelmend Balilin, edhe pse ishte në parashikuar që sot në mesditë prokurori i çështjes Ened Nakuçi të jepte konkluzionet e akuzës. Por avokati i tij ka kërkuar kohë duke paraqitur një raport mjeko-ligjor.

Mbi të ashtuquajturin “Eskobar” të Ballkanit ndaj të cilit po zhvillohet gjykim i shkurtuar, rëndojnë 4 akuza: Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal; Refuzim për deklarim dhe mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë; Pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale. Balili nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa pas rreth dy vjetësh në kërkim, ai u vetëdorëzua në momentin kur dosja shkoi për gjykim.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se nga informacioni i policisë, rezultonte se nga fundi i muajit maj 2015 shërbimet ligjzbatuese greke dhe DEA në Athinë kanë qenë duke hetuar në lidhje me një organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike e përbërë nga shtetas grekë, shqiptarë dhe nga vendet e Evropës Qendrore.

Balili u vetëdorëzua në polici më 17 janar, pas shpalljes në kërkim në maj të vitit 2016. Gjatë kësaj kohe, policia dështoi të paktën 14 herë për arrestimin e tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN