Ralf Gjoni, “deputeti” i ndryshimeve kushtetuese

Me Ralf Gjonin, të pabindurin e radhës nga LSI, që kërkon mandatin e deputetit nga KQZ, Parlamenti plotësohet me 2/3 e tij.

Mjaftueshëm sa për të arritur edhe kuorumin edhe për ndryshime kushtetuese. Në të njëjtën kohë kur Gjoni dorëzoi formularin, institucioni Qendror i Zgjedhjeve i kaloi mandatin Alban Zenelit dhe Ligoraq Karamelos.

Ata do te betohen të mërkurën në Parlament së bashku me Lefter Maliqin, Elda Hotin, Edlira Hysenin dhe Edjola Brahon.

Në total, janë 12 kandidatë deri më tani që kanë pranuar mandatin dhe 3 që nuk pranuan ta dorëzojnë, si Myslym Murrizi, Lefter Koka dhe Rudina Hajdari, e çojnë opozitën e re me 15 deputetë, dhe në total në Parlament, 94 ligjvënës.

Burimet nga KQZ i thanë A2 CNN se sot iu dërgua zyrtarisht njoftimi 14 kandidatëve në listat vijuese nga PD dhe LSI. Ata kanë kohë 10 ditë për të dorëzuar formularet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN