Vasili: “Virusi” i parave të pista ka infektuar edhe njerëz që nuk flasin shqip

Në vijim të deklaratave që bëri gjatë ditës së martë, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, vijoi të kritikojë përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare. Madje, ai u shpreh në emisionin “I Ftuari” se “virusi i parave të pista, parave të drogës që blen edhe votat, ka infektuar edhe njerëz që nuk flasin shqip”.

“Që në 27 qershor, unë i kam konsideruar zgjedhjet si më të shëmtuara. Në atë kohë kemi denoncuar kriminalizimin dhe shitblerjen e votës. Ndërkohë, nga të huajt e caktuar ka pasur një lloj alibie se edhe parti të tjera janë përfshirë. Në vijim të kësaj loje ju keni dëgjuar edhe artikulime të kryeministrit, i cili është përpjekur të akuzojë dhe të tjerët. Në raportin e OSBE-ODIHR, partitë që kanë denoncuar shitblerjen e votës dhe që kanë depozituar fakte janë vetëm LSI dhe PD. PS ka qenë e lumtura, përfituesja dhe zbatuesja e këtij skenari. Ndaj kushdo ndërkombëtar, me emër të përveçëm nuk kam ndërmend t’i citoj, por që merr përsipër këtë alibi është vendosur në një pozicion të shëmtuar dhe të inkriminuar. Virusi i parave të pista, parave të drogës që blen edhe votat, ka infektuar edhe njerëz që nuk flasin shqip”, u shpreh Vasili. Për fat të keq, Brukseli operon me të njëjtat operacione që janë jashtë realitetit.

Më tej, Vasili u pyet se si do të binden ndërkombëtarët, por ai tha se pas provave të dala për blerjen e votave nuk i intereson më nëse ato dëgjohen apo jo nga të huajt.

“Ne kemi shtruar fakte në tavolinë fakte objektive të palëvizshme dhe nuk dëgjuam asnjë kundër fakt. U pohua se Shqipëria ka një krim zgjedhor. Të gjithë shqiptarët e dinë se ka një dosje dhe ajo bllokohet prej dy vjetësh. Krimi elektoral mbërthehet aty. Unë pyes se si ka mundësi që një dosje të mbahet e bllokuar? Thelbi është se kjo dosje ka evidentuar se bandat elektorale dhe pushteti kanë bashkëpunuar për blerjen e votave. Aq sa është bërë publike mua më del dhe më mjafton. Provat janë shumë tronditëse dhe mua pas kësaj nuk më vjen të dëgjoj asnjë të huaj”, tha Vasili.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN