Vucic: Gjermanët kërkuan heqjen e taksës

Këshilltarët për politikë të jashtme të kancelares gjermane, Angela Merkel, kërkuan në Prishtinë heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Kjo është konfirmuar nga Presidenti Aleksandër Vucic, pas takimit që zhvilloi me Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg. Ai tha se pret zhvillime të rëndësishme për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në muajin prill.

“Ata më njoftuan se kërkuan heqjen e taksës, gjë e cila është shumë e rëndësishme pasi vjen nga një vend shumë i fuqishëm i Bashkimit Europian. Unë pres që në Prill të vijnë përpjekje të reja nga BE për të ndryshuar gjërat dhe ne do të shohim nëse kjo do të çojë në heqjen e taksës”

Aleksandar Vucic, President i Serbisë

Më tej ai nënvizoi se Serbia nuk është afër marrëveshjes me Kosovën, pasi negociatat nuk vijojnë. Gjithashtu kritikoi platformën e Prishtinës për dialogun dhe thotë se ka bllokuar bisedimet. Vucic shtoi se edhe Serbia mund të përgatisë një platformë të tillë duke vendosur kusht ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe krijimin e një gjykate speciale.