“Blofi” i Lleshajt me lirimin e drejtorit të policisë së Tiranës

Lirimi nga detyra i drejtorit të Policisë së Tiranës u transmetua në të gjitha mediat në vend dhe portalet informative fundjavën e shkuar.

Të hënën, konflikti për pronën pranë shkollës “Petro Nini” vuri policinë në pozicion të vështirë. Pamjet e shoqërimeve të familjarëve në sy të fëmijëve, skenave me gratë shtatzëna dhe lejimi i përmbaruesve që shkelmonin dyert, ishin pamje të rënda.

Fill pas kësaj, ministri Brendshëm Lleshaj doli me një Twitter të hënën ku njoftonte lirimin nga detyra të Kastriot Skëndrajt e që sipas tij, ishte i duhuri pasi policia nuk u soll me dinjitet për rastin në fjalë.

Në të njëjtën linjë ishte dhe kryeministri Rama një ditë më pas. Në rrjetet sociale, Lleshaj shkruante se vendimi i Ardi Veliut ishte i duhuri, por mediat lajmin e lirimit të tij nga detyra e kishin publikuar minimalisht dy ditë para postimit të tij.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet për të vërtetuar këtë. Pretendimi, që sipas ministrit, policia nuk mund të mjaftohet vetëm me zbatimin e ligjit ra poshtë së bashku me tentativën për ta lidhur ikjen e tij me përplasjet te “Petro Nini”.

Edhe Rama edhe Lleshaj i gjeten motiv krimit ndonëse për situatën e krijuar te shkolla “Petro Nini” përgjegjësi nuk mban drejtori i policisë, por ai i rendit dhe sigurisë. Në rastin konkret, drejtori i rendit dhe sigurisë u komandua në krye të policisë së kryeqytetit. Por krahas kësaj, fill pasi ministri i Brendshëm dhe kryeministri Rama e trumbetuan si një formë ndëshkimi largimin e Kastriot Skënderajt, ajo që është më e habitshme është pozicioni i ri që ai ka marrë.

Për ministrin Lleshaj dhe kryeministrin Rama policia ishte jo efikase dhe jo dinjitoze dhe vendimi i Ardi Veliut ishte i duhuri, por Kastriot Skënderaj është emëruar këshilltar pranë drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit!

Shkarkoni aplikacionin e A2