Godina te “Petro Nini”, përmbaruesit do të shkojnë sërish më 25 mars

3 familjet që jetojnë në godinën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” të cilët pak ditë më parë u përleshën me policinë për të mos lejuar përmbarimit të ekzekutonte urdhrin për lirimin e saj, kanë marrë njoftimin se më 25 mars pritet të ekzekutohet urdhri dhe prishja e godinës.

Letra ka mbërritur në orët e para të mëngjesit të së enjtes dhe në të banorët e godinës detyrohen sipas vendimit të Gjykatës që të paguajnë edhe për ekzekutimin e urdhrit përmbarimor, ndërsa ju bëhet me dije se janë njoftuar edhe më parë në datën 7 janar 2019.

Dy ditë më parë, disa prej pjesëtarëve të familjeve që jetojnë në këtë godinë u përleshën me policinë dhe nuk lejuan përmbaruesit të ekzekutonin urdhrin.

Sipas organeve ligj zbatuese, toka ku është ndërtuar godina i është kthyer pronarëve , por vetë banorët e godinës thonë se kanë dokumentacion të rregullt dhe se trualli i përket shtetit, dhe ata janë në proces legalizimi. Policia shoqëroi edhe disa prej tyre ndërsa një prej banoreve ishte edhe oficere e policisë, e cila u shkarkua nga detyra për bllokim të punës së forcave të rendit.

Ngjarja solli reagimin edhe të politikës, me ministrin e Brendshëm që liroi nga detyra kreun e Policisë së Tiranës për sjellje jo dinjitoze të punonjësve të rendit, ndërsa Kryeministri Rama tha se pavarësisht impaktit publik, Qeveria nuk kishte çfarë të bënte përballë vendimit të formës së prerë të dhënë nga Gjykata.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN