Greqia lë pas krizën, kryeson për rritjen ekonomike në eurozonë

Greqia ka hyrë në një periudhë rritjeje ekonomike, e cila e rendit atë mes performuesve më të mirë të eurozonës. Gjykimi vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të ri për ekonominë greke. Sipas këtij institucioni, në Greqi janë vërejtur një sërë zhvillimesh pozitive.

Peter Dohlman, kreu i FMN për Greqinë, tha: “Presim që rritja të përshpejtohet në gati 2,5% këtë vit, nga 2% që ishte në 2018-tën. Kjo e vendos Greqinë mes vendeve qe kanë rritjen më të madhe ekonomike në eurozonë. Papunësia po ulet, edhe pse është ende në nivele të papranueshme. Qeveria po përmbush objektivat e saj fiskalë”. Megjithatë, FMN shtoi se ekonomia mbetet e brishtë, papunësia e lartë dhe së nevojiten reforma të mëtejshme.

Greqia ishte vendi ku nisi kriza financiare e eurozonës në vitin 2009, dhe ekonomia u godit shumë rëndë. Asnjë vend tjetër në BE nuk ka marrë aq shumë paketa shpëtimi. Por huadhëniet që arritën deri në 1 çerek trilionë euro, erdhën me kushte të vështira. Athinës ju kërkua të reduktonte nevojën për borxhe dhe të reformonte ekonominë. Kushtet u përballën me rezistencë të fortë në Greqi dhe sollën kriza të thella politike. Por si FMN, ashtu edhe Bashkimi Europian mendojnë se vendi ka shënuar progres. Rritja ekonomike filloi në 2013 edhe pse jo në mënyrë të qëndrueshme. Gjithsesi vitin e kaluar, u shënua një rritje prej më shumë se 2% për herë të parë në më shumë se një dekadë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN