Haradinaj për Mogherinin: Dialogu nuk duhet të lidhet me taksën

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i kërkoi përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini të mos e lidhë vazhdimin e dialogut me taksën ndaj produkteve serbe e të Bosnje-Hercegovinës.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Haradinaj thotë: “Dialogu kishte dalë nga binarët shumë kohë para se të vendosej taksa. Arsyet e vërteta janë mungesa e transparencës, propozimi për shkëmbim territoresh dhe dështimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese. Dialogu mund dhe duhet të rikthehet pa u ndërlidhur me tarifën”.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i tha të martën Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “Kosova duhet të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës”.

Mogherini shtoi se pasi kjo të ndodhë, do të organizonte menjëherë raundin e ritë bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve.​

Dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është pezulluar që prej vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic ka thënë se nuk do të marrë pjesë në dialog, pa u hequr taksa.