Kadia: Opozita po hyn në një territor të çuditshëm, huazon termat e së majtës

Ditët e kaluara ka patur deklarata të shumta të eksponentëve të opozitës, disa prej të cilëve me nivele të ndryshme kanë shigjetuar jo vetëm ekzekutivin, por edhe botën e biznesit që mendohet të ketë financuar atë. Por sa e dobishme është kjo për shoqërinë shqiptare?

Në studion e A2 pedagogu dhe ekonomisti Besart Kadia mendon  se deklarata të tilla nuk qëndrojnë,  dhe se fokusi i kritikës po spostohet gabimisht. “Nuk mund të thuhet se biznesi ka korruptuar Qeverinë, mendoj që korrupsioni ndodh në Shqipëri nga pushteti i madh që ka Shteti”, me gjithë rregulloret, inspektoratet, vulat që përbëjnë disa hallka të detyrueshme  që nxisin korrupsionin.

Por Kadia shkon më thellë dhe analizon një ndryshim paradoksal në gjuhën e përdorur nga politika shqiptare.  

Në një moment ku e majta në qeveri “po abuzon me parimet e djathta” si PPP-të, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për të djathtën, madje në mënyrë akoma më të dukshme.

Thirrjet provokuese për sulm me “molotov” ndaj bizneseve i kujtojnë atij disa qasje anarkiste që ekzistonin në Greqinë e viteve ’90, e djathta ka hyrë “në një territor të çuditshëm, ku po huazon termat e të majtës. Një parti e djathtë që thotë që po pati korrupsion të djegim bizneset, nuk ka kuptim”.

Ashtu si i duket abuzues përdorimi i termit tashmë të famshëm “oligark”. “Nuk është term i së djathtës, dhe nuk kuptohet si përkufizohet. Oligarkët në Rusi vendosnin se kush do të ishte kryeministri, më duket se këtu ndodh e kundërta”.

Ndikimi i bizneseve nga Qeveria është për Kadiën pasojë e “lojës së mbyllur” të Qeverisë, ku nuk lejohen reforma thelbësore që zhvillojnë sipërmarrjen, dhe detyron këto të fundit të shpresojnë në tenderat shtetërorë, duke krijuar varësi dhe ndikim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN