Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Ndikimi rus, alibi apo pengesë reale për integrimin në BE?

Nga A2 CNN
13 Mars 2019, 18:40 | Politikë
Ndikimi rus, alibi apo pengesë reale për integrimin në BE?

Edi Rama ka folur sot për rrezikun rus. Edhe pse nuk ka komentuar drejtpërdrejtë, ato që raportoi në mënyrë sekrete shefi i Shërbimit Informativ, Helidon Bendo, Rama tha se Rusia nuk është një vend tifoz i zgjerimit të BE, as i integrimit tonë në BE.

"Sa herë kjo agjendë cenohet, çdo vend që nuk është tifoz sheh një oportunitet", u shpreh Kryeministri. Por çështja është se kush punon për Moskën në Shqipëri?

Ndikimin rus në vendin tonë nuk mund ta shohim të ndarë nga rajoni i Ballkanit. Rusia kundërshton me forcë çdo shtet ballkanik që i bashkohet NATO-s. Zyrtarët perëndimorë kanë shprehur frikë se Rusia ka përdorur lidhjet e saj historike sllave dhe ortodokse në rajon për të minuar politikat perëndimore të integrimit.

Ndërkohë, në një raport të Këshillit Europian për marrëdhëniet me jashtë thuhet se qëllimi kryesor i Rusisë nuk është të pohojë autoritetin mbi Ballkanin, por “të shfrytëzojë edhe të lartësojë tensionet ekzistuese”.

Për të folur për ndikimin e Rusisë në rajon e rrjedhimisht edhe në Shqipëri ishin të ftuar në “A2 Debat” Shaqir Vukaj, ish-ambasador i vendit tonë në Moskë, studiues dhe Agim Nesho ish-ambasador i vendit tonë në Uashington, gjithashtu studiues.

Për ish-ambasadorin e Shqipërisë në Moskë, Shaqir Vukaj, Rusia është e pranishme në çdo hap në zhvillimet e Ballkanit. Ai thotë se ishte Rusia që e detyroi Milloshevicin të tërhiqej nga Kosova.

“Historia e marrëdhënieve të Rusisë me Ballkanin është e vjetër, thuajse 1 mijë vjeçare. Fenë, alfabetin, i ka marrë nga Ballkani. Në Rusi ekziston një tezë që thotë se historia e Ballkanit është vazhdim i historisë së Rusisë, është pjesë e saj. Nga 1876 e deri në ditët e sotme, në ngjarjet e mëdha në Ballkan është dora e Rusisë. Edhe te ngjarjet e fundit, lufta në Kosovë, ishte pikërisht Rusia ajo që ndërhyri për të detyruar Milloshevicin të tërhiqej nga Kosova. Rusia është e pranishme në çdo hap”, u shpreh Vukaj.

Agim Nesho thotë se Rusia ka një plan të qartë, që sipas tij, është krijimi i unionit Euroazitik. Por ai thekson se Shqipëria gjithmonë ka pasur një vështrim pro perëndimor.

“Që nga viti 1999 kur filloi të rimëkëmbej nga ana ekonomike pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, filloi një erë e re, sidomos me Putinin. Kemi një Rusi agresive që kërkon të ketë rolin e saj ashtu siç e kishte gjatë luftës së ftohtë. Qëllimet e Rusisë sot janë rikthim në vendimmarrjen botërore si një fuqi e barabartë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Si e tillë, ajo kërkon që influencat e para, të cilat janë ridimensionuar në aspketin ekonomik. Pas 2014-ës quhet një fuqi revizioniste. Ajo ka një plan të qartë, që është krijimi i unionit Euroaziatik, të jetë një balancë e BE. Asnjëherë nuk e ka pranuar influencën e NATO-s. Ballkani është politika e saj tradicionale, në bazë të kulturës, së fesë. Kërkon të tregohet se është vendimmarrëse dhe të jetë prezentë në të gjitha vendimet e reja. Ballkani ende nuk është bërë pjesë e BE dhe mund të ketë mundësi për vija të ndryshme gjeopolitike. Për idenë ruse, Ballkani mund të riformatohet. Por për mendimin tim, nuk është e pranishme në të gjithë Ballkanin. Shqipëria gjithmonë ka pasur një vështrim pro perëndimor”, u shpreh Nesho.

A2 CNN Livestream

Dita jonë