Vendimi për protestuesin Pëllumb Isufi, reagon Policia: Na ka tronditur të gjithë

Gjykata e shkallës së parë në Fier liroi ditën e sotme shtetasin Pëllumb Isufi, nëpunës i Bashkisë Mallakastër, i cili u arrestua pas protestës në Fier, ku dyshohej se qëlloi me gur një prej efektivëve.

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje lirimin e Isufit nga Gjykata, duke thënë se ky vendim ka tronditur të gjithë Policinë e Shtetit.

“Arroganca, shpërfillja ekstreme e ligjit dhe injorimi flagrant i provave të pakundërshtueshme dhe i raporteve të shërbimit të Policisë së Shtetit, që provonin atë që ka parë tashmë gjithë Shqipëria, janë të papranueshme. Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë mbrojtjen e veçantë të ligjit, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Rreziku për jetën e punonjësve të PSH, shtohet jo vetëm nga papërgjegjshmëria e elementëve kriminalë, por edhe e gjyqtarëve të lidhur me krimin”, thuhet në reagim.

Më tej, vendimi quhet skandaloz nga një gjyqtar i papërgjegjshëm. “Policia e Shtetit e ka dëshmuar me gjakun e qindra dëshmorëve, përgjegjësinë e saj publike dhe nuk mund të pajtohet me vendime skandaloze të ndonjë gjyqtari të papërgjegjshëm, vendime të cilat jo rrallë herë kanë lënë të pandëshkuar jo vetëm autorët e plagosjeve ndaj policëve, si rasti aktual i Fierit, por edhe vrasësit e tyre. PSH do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore si për të mbrojtur jetën e punonjësve të saj, ashtu dhe për të vënë përpara drejtësisë bashkëpunëtorët e krimit, edhe kur këta mbajnë të veshur padrejtësisht mantelin e gjyqtarit”, mbyllet reagimi i Policisë së Shtetit.

Shkarkoni aplikacionin e A2