Kryeprokurori i ri, Arta Marku do garojë për një mandat të plotë 7-vjeçar

Arta Marku do të kërkojë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë mandatimin si Prokurore e Përgjithshme për 7 vitet e ardhshme. Pa ditë para se KLP të mblidhet për të hapur garën për kreun e akuzës, të martën e ardhshme, mësohet se kush do të jenë kandidatët për këtë post. Mes tyre janë vartës të Markut, si Adnand Xholi, Olsian Çela, Besnik Muçi, Enrik Ligori, Ervin Kondili dhe Plarent Ndreca.

Por në këtë mbledhje KLP pritet të përcaktojë garën edhe për SPAK. Ana profesionale, dosjet e bujshme dhe stadet e hetimit të tyre, aftësia profesionale në menaxhimin e hetimit, janë disa nga kriteret që duhet të përmbushin 10 anëtarët e rinj të Prokurorisë së Posaçme të Hetimit, e cila pritet të ngrihet së shpejti.

5 kriteret e posaçme etiko-profesionale janë ato që lidhen me ngritjen në detyrë dhe performaca. Drafti përcakton se kandidati vlerësohet me kualifikim të lartë në hetimin dhe përdorimin e teknikave të posaçme kur ka hetuar me sukses jo më pak se 5 çështje penale të ndërlikuara ligjërisht ose në fakte, përfshirë përdorimin e metodave të avancuara të hetimit dhe qasjen proaktive.

Kandidati vlerësohet me kualifikim të mesëm në hetimin dhe përsosjen e taktikave të posaçme kur ka hetuar me sukses jo më pak se 3 çështje penale të ndërlikuara ligjërisht. Kandidati vlerësohet me kualifikim të ulët në hetim kur ka hetuar me sukses të paktën 1 çështje të ndërlikuar.

Komisioni shqyrton listën e çështjeve të hetuara nga kandidati gjatë 5 viteve të fundit, duke filluar nga data e aplikimit, të cilat kanë pasur të arrestuar dhe janë mbyllur me vendime pushimi, shfuqizimi, shpalljen e mos kompetencës dhe çdo çështje tjetër të hetuar gjatë karrierës që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik.

Emrat e kandidatëve pritet t’i kalojnë me urgjencë institucioneve të posaçme të vetting-ut dhe vetëm pas fjalës së fundit të tyre do të emërohen në postet e larta.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN