Lefter Maliqi: Parlamenti do të mbushet, s’jam ndikuar nga askush

Lefter Maliqi, një nga deputetët e rinj të Parlamentit, i cili ishte pjesë e listave të PD në Berat, ishte “I Ftuari” i Endri Xhafos këtë të enjte.

Ai zbuloi sesi e mori vendimin për të pranuar mandatin e deputetin, ndërsa thotë se nuk është ndikuar nga askush.

“Unë dua t’ju them që nuk kam qenë shumë i lumtur që kam shkuar dje deputet. Pavarësisht veprimeve të mia, pavarësisht ngritjes së gishtave, pavarësisht kurajos dhe guximit të cilin e kam nga mbështetësit, por edhe nga natyra ime, por nuk jam i kënaqur, për shkak se pavarësisht se mandati im është shumë herë më i fortë dhe zë shumë herë më i fortë se ai i atij që ishte deputet i qarkut të Beratit nga PD, por unë përsëri ngul këmbë se aty duhet të ishte gjithë grupi i deputetëve që për mua gabimisht dorëzuan mandatin e deputetit. Demokratët e thjeshtë të Beratit janë me mua. Unë aty (në Parlament) do të mbaj anën e Partisë demokratike. Më kontakoi dikush nga Partia demokratike, miku im, njeri me vlera në PD, që është në strukturat e PD-së por jo deputet, për të mos pranuar mandatin. Nuk më ka kontaktuar absolutisht askush për ta pranuar mandatin. Por mua si Berisha, edhe Rama, edhe Meta më njohin dhe e dinë që unë vendos vetë. Më lusin, me lusin, por pastaj vendos vetë. Unë kërkova post drejtues në Polici, posti i zv/drejtorit të përgjithshëm të burgjeve ishte shumë pak për mua. Por unë e kreva me ndershmëri, duke zbatuar ligjin dhe nuk jam përfolur për asgjë”, shprehet Maliqi.

Më tej, Maliqi shprehet se Parlamenti do të mbushet me deputetë të rinj edhe pse e pranon se nuk e di nëse do të qëndrojë aty deri në 2021-in.

“Në dijeninë time postet e LSI-së do të plotësohen të parët, të gjithë, kurse nga PD do ta pranojnë mandatin mbi 40 deputetë. Se demokratët janë miqtë e mi, edhe ata që s’kanë firmosur, edhe të tjerët. Pra Parlamenti do të mbushet. Tani pak rëndësi ka se sa do të rri. Ne e dimë se mund të ketë ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar, marrëveshje politike… edhe unë që jam deputet sot, mund të mos jem nesër. Por kjo për mua s’është e rëndësishme, për mua rëndësi ka që jam faktor në zonën e Beratit. Kaq”, shprehet Maliqi.