Maliqi: Basha më premtoi vendin e Bodes në Berat, më tha “mos e fol me njeri”

Lefter Maliqi, në emisionin “I Ftuari”, ndër të tjera rrëfeu edhe marrëdhëniet e tij me kreun demokrat Lulzim Basha.

Maliqi shprehet se Basha i ka premtuar shumë, por nuk i ka mbajtur premtimet ndaj tij. Ai tregon edhe episode nga takimet me kreun demokrat, teksa i ka premtuar, sipas tij, se do të ishte i pari në listat e Beratit dhe jo Bode.

“Unë jam me origjinë “skënderbegase” dhe ne skënderbegasit i kemi një gjë: edhe kur biem, i futemi diçkaje prapë nga e para. Unë karrierën në PD e fillova nga anëtar i thjeshtë i PD, dola kryetar seksioni, u bëra kryetar grup-seksioni në Otllak dhe konkurroj për kryetar i degës së PD të Beratit, sipas parimit demokratik. Zoti Basha më hoqi emrin 5 minuta para. Më tha që është i papajtueshëm kryetari i grup-seksionit me kryetarin e degës, i thashë që nuk është e vërtetë, ma sqaruan zoti Bode, zoti Noka. Basha, pasi më tha se do të më vinte kandidat për Bashkinë e Beratit dhe nuk më vuri dhe pasi humbi në Berat, më tha “do të të vë të parin në listë në Berat”. Unë i thashë “si mund të më vësh të parin para zotit Bode, kur ti e ke sjellë në deleguar politik në Berat”? “Bode nuk është, mos fol me njeri, ti je” më tha. Madje po e them edhe këtë, më thoshte “ti je për të drejtuar rendin në një të ardhme”, shprehet Maliqi.

Më tej, Maliqi shprehet se listat për deputet të PD ishin korruptive. “Eduard Halimi nuk kishte lidhje me Beratin, ia mori i dyti si ia mori. Janë punë të mëdha këto. Cilat ishin format që ia mori? Po korruptive, sigurisht. Edhe ato dy femrat, korruptive janë. Vetëm ndonjë shqiptar është i trashë dhe nuk e kupton. Vetëm nëse ndonjë media nuk e analizon. Vetëm nëse drejtësia nuk e analizon. Këto janë korruptive. Korruptive ishte edhe lista e kandidatëve për deputetë. Ky i dyti, sipas të dhënave të mia, sponsorizoi edhe udhëtimin e Bashës në Amerikë me zotin Mediu, se janë lidhje të vjetra, dhe ka sponsorizuar edhe fushatën edhe çadrën. Dhe Basha nuk më shikonte mua si një njeri me kontribut ekonomik, sepse unë kam kontribut votash elektorale. Ky që ka kontribut ekonomik, nuk ka vota. Ky nuk ka vota në zonën e vet”, tha Maliqi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN