Maliqi: Lidershipi i PD, fat për Ramën, me këtë frymë nuk fiton

Lefter Maliqi, një nga deputetët e rinj të Parlamentit, teksa komenton figurën e lidershipit të PD në “I Ftuari” të Endri Xhafos, shprehet se PD nuk ka frymë dhe lidership.

Ai thotë se me lidershipi aktual i Partisë Demokratike nuk e çon dot këtë forcë politike në zgjedhje.

“Qeverisja e PS po bën të njëjtat gabime që ka bërë PD në mandatin e dytë, qoftë në emërime, qoftë në qeverisje, qoftë në zhvillimet ekonomike. Por fati i Edi Ramës është që te PD nuk ka frymë dhe lidership, se po të ketë frymë dhe lidership PS humbet zgjedhjet. Por me këtë frymë që ka sot Partia Demokratike, e vërteta është se lidershipi i saj nuk e çon dot në fitore PD-në. Që të çosh në fitore PD duhet të bashkosh të gjitha vlerat. Unë jam edhe me zonjën Topalli, edhe me zotin Bode, nuk e mohon dot t’i kontributin e zotit Bode në Korçë e Devoll, të zonjës Topalli në Shkodër, të Patozit në Vlorë e në Vorë, të Lefter Maliqit në Berat. Pa mua, ta harrojë Basha që fiton 2 mandate në Berat, 1 mandat merr. Me mua fiton edhe Bashkinë e Beratit, edhe bashkinë e Kuçovës”, shprehet Maliqi.

Teksa i shfaqet fotoja e tij me Bashën, Maliqi bën edhe humor: “Shkojmë bashkë me Bashën në foto”, thotë ai, duke shtuar se po të ishin të bashkuar, ai do të ishte sot kryetar i Bashkisë së Beratit.

Më tej, ai tregon se si e ka nisur karrierën e tij në PD . Por Maliqi thotë më tej se Basha i ka premtuar shumë, por ndaj tij nuk i ka mbajtur premtimet.

“Unë jam me origjinë “skënderbegase” dhe ne skënderbegasit i kemi një gjë: edhe kur biem, i futemi diçkaje prapë nga e para. Unë karrierën në PD e fillova nga anëtar i thjeshtë i PD, dola kryetar seksioni, u bëra kryetar grup-seksioni në Otllak dhe konkurroj për kryetar i degës së PD të Beratit, sipas parimit demokratik. Zoti Basha më hoqi emrin 5 minuta para. Më tha që është i papajtueshëm kryetari i grup-seksionit me kryetarin e degës, i thashë që nuk është e vërtetë, ma sqaruan zoti Bode, zoti Noka. Basha, pasi më tha se do të më vinte kandidat për Bashkinë e Beratit dhe nuk më vuri dhe pasi humbi në Berat, më tha “do të të vë të parin në listë në Berat”. Unë i thashë “si mund të më vësh të parin para zotit Bode, kur ti e ke sjellë në deleguar politik në Berat”? “Bode nuk është, mos fol me njeri, ti je” më tha. Madje po e them edhe këtë, më thoshte “ti je për të drejtuar rendin në një të ardhme”, shprehet Maliqi.

Shkarkoni aplikacionin e A2