Një pallat i ri, “molla e sherrit” në konfliktin te “Petro Nini”

Ndërtimi i një pallati dhe pjesa takuese në të duket se është “molla e sherrit” të konfliktit të pronësisë pranë shkollës “Petro Nini” në kryeqytet.

Sipas një kontrate sipërmarrjeje vitit 2015 pronarët e truallit, trashëgimtarët Gavoçi, të cilëve u ishte rikthyer prona në vitin 1995, merrnin përsipër të ndërtonin godinën shumëkatëshe.

Por për ndërtimin e ri duhej prishur godina ku jetojnë aktualisht familja Dervishi, e vendosur aty prej viteve 50 dhe familja Llani.

Kontratat janë nënshkruar për të zgjidhur me marrëveshje një konfliktin disa vjeçar gjyqësor mes dy palëve dhe për të mos ekzekutuar një vendimi të formës së prerë të vitit 2014, sipas të cilit familjet Dervishi dhe Llani duhet të lironin banesën.

Sipas marrëveshjes, familja Dervishi përfitonte në ndërtimin e ri 235 m2 ndërsa familja Llapaj 117.5 m2. Dakordësia u prish më vonë, pasi sipas trashëgimtarëve Gavoçi, pala tjetër s’e kishte zbatuar kërkesat e saj dhe nuk i ishte përgjigjur disa ftesave për bisedime.

Në një komunikim me “A2 CNN”, avokati i familjeve Dervishi e Llapaj tha se veprimet e përmbaruesve ishin të jashtëligjshme. Sipas avokatit, Klodian Reçi, Komisioni i Kthimit të Pronave ka gabuar kur i ka njohur të drejtën e pronës trashëgimtarëve Gavoçi. Ndryshe mendon pala kundështare.

Përplasjet e pak ditëve më parë tronditën opinionin publik për shkak se gra dhe fëmijë u gjendën mes dhunës së përmbaruesve dhe policisë.