Testimi i policëve, merren në pyetje anëtarët e komisionit

Katër muaj pas anulimit të testit për gradën komisar në Policinë e Shtetit, anëtarët e komisionit përgjegjës janë marrë në pyetje.

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave të marrë në pyetje anëtarët e komisionit të konkursit të gradave që kishin për detyre të mbikëqyrnin testimin dhe më pas të nxirrnin rezultatet.

Në pyetje janë marrë edhe anëtarët e komisionit që kishin për detyrë të mbikëqyrinin testin për gradën Kryekomisar, pasi ka pasur ankesa pranë SHÇBA, për mënyrën e strukturimit të tezës që është ndryshuar pa paralajmërim në momentin e fundit.

Mësohet se anëtarët e komisionit kanë deklaruar se testi i kontestuar është zhvilluar sipas procedurave dhe nuk ka pasur asnjë shkelje.

Më herët, janë pyetur me dhjetëra efektivë të cilët ankimuan rezultatet e testimit për mënyrën e organizimit, pasi hodhën dyshime për favorizimin e individëve të caktuar përmes publikimit të tezës para se sa të zhvillohej konkursi. Për rastin në fjalë, Prokuroria ka regjistruar kallëzimin penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës.