10 ditë, 10 dalje publike, Rama indiferent për opozitën

Nga e marta e 5 marsit, kur ishte protesta e fundit e opozitës së bashkuar, Kryeministri Edi Rama ka bërë rreth 10 dalje publike në media. Atë të martë në Kuvend, përpara se të nisej për në Itali, Rama shtriu dorën e bashkëpunimit për të fundit herë…

Në të dyja intervistat në “Rai Uno” e “La 7”, Rama e distancoi protestën e opozitës nga populli. “Ajo që shihni nuk është një revoltë e popullit. Nuk është populli ai në shesh. Është një revoltë në pallatin e politikës”.

Përgjatë ditëve në vijim, Rama pati takim me studentët ekselentë që u punësuan në administratë sipas paktit për universitetin, por asnjë fjalë për opozitën. Profilin e aktivitetit Rama e ruajti edhe në takimin në Akademinë e Policisë, në takimin që pati me Presidentin e FSHF, Armand Duka, pas dhunës së arbitrave në fushën e gjelbër, apo në eventin e përjavshëm të bashkëqeverisjes.

Protesta dhe opozita e fshirë nga fjalori i Kryeministrit, ishte shembulli që duhet te ndiqnin edhe socialistet. Në mbledhjen e kësaj jave të grupit parlamentar, u ndryshua e gjithë strategjia e selisë rozë. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, porositi deputetët e majtë që të tregohen indiferentë ndaj atyre që braktisën Parlamentin dhe të fokusohen te rendi i ditës në diskutime.

Edhe në Fier, kryesocialisti nuk pati kohë të mendojë për opozitën, i rrethuar nga gra e vajza për 8 Mars. Qetësia u prish për Ditën e Verës, kur uroi Lulzim Bashën, ndërsa një ditë para protestës lëshoi dhumbin e radhës nga Berati.

Shkarkoni aplikacionin e A2