4 protestat e Bashës, opozita rikthehet para Kryeministrisë

E shtuna e 16 shkurtit e gjeti Edi Ramën në Vlorë. Ndërsa drejtuesit e opozitës para zyrës së tij. Kryeministri, nga Sheshi i flamurit fliste për zgjedhjet bashkiake, ndërsa Basha e Kryemadhi nuk shihnin alternativë tjetër përveç atyre të parakohshme.

Policia i kishte refuzuar demokratëve lejen për tubim, ndërsa në deklaratat për shtyp theksonte se kishte të dhëna që elementë të caktuar kriminalë, do të shkaktonin trazira. Opozitarët e quajtën këtë provokim, por që në nisje të protestës sqaruan se në vend të fjalimeve të tyre, fjalën do ta kishin qytetarët.

Kordoni i policisë u ça disa herë. Nga tarraca, apo pas dyerve të blinduara të Kryeministrisë, gazi lotsjellës shpërndau po aq herë turmën. Por gazi nuk i frenoi atë të shkulnin kërpudhën, veprën e artit të kushtueshme që i ishte bërë dhuratë Edi Ramës. Dhe megafonin që përçonte mesazhet për qetësi të policisë së shtetit. Disa prej protestuesve, policëve dhe gazetarëve përfunduan në spital si pasojë e gazit, ndërsa të tjerë në komisariat, si pasojë e procedimeve penale.

21 shkurti do të mbahet mend jo vetëm për lëvizjen taktike të Gramoz Ruçit për të anuluar seancën plenare përballë një proteste të paralajmëruar të PD-së e LSI-së, por dhe për lëvizjen drastike të këtyre 2 forcave për të djegur mandatet. Lulzim Basha e Monika Kryemadhi drejtuan deputetët e tyre dhe turmën, drejt kryesisë së Kuvendit për të hequr dorë nga Parlamenti. Por ndërsa ata vinin, Edi Rama që po ndiqte protestën në zyrën e Gramoz Ruçit, u largua.

Nuk ishte aq e qetë protesta e improvizuar e 26 shkurtit. Socialistët thirrën brenda ditës seancën plenare. Po aq shpejt u mobilizua dhe opozita. Disa prej deputetëve e kishin të vështirë të kalonin mes turmës, dhe ende pa nisur mire protesta, u desh ndërhyrja e policisë. Kapsollave dhe gomave të djegura, i shtoheshin herë pas here dhe gurët. Gazi lotsjellës u vu sërish në përdorim, teksa turma tentoi të çante kordonin e policëve. Dalja e fshehtë e deputetëve nëpërmjet një prej lokaleve pranë Parlamentit, i dha fund pas 4 orësh protestës.

Në protestën e 5 marsit, ndërsa maxhoranca i uronte mirëseardhjen 4 deputetëve të rinj opozitarë, Basha e Kryemadhi kishin mbledhur rreth 100 kandidatë në listat e tyre për deputetë. Pasi njëri pas tjetrit morën mikrofonin për të sqaruar pse refuzonin të merrnin mandatin e lënë nga deputetët e dorëhequr të PD e LSI, kolektivisht iu drejtuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të firmosur refuzimin.

Edhe pse kishte deklaruar se do të protestonte para çdo seance, opozita vendosi ta bënte pushim në 13 mars, për të mbledhur forcat në atë që e quajti uragani i datës 16.

Shkarkoni aplikacionin e A2