SHBA: Parlamenti legjitim, opozita ta lërë të punojë!

Më pak se 24 orë para protestës së paralajmëruar të opozitës së bashkuar, përpara Kryeministrisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bën thirrje opozitës që të lejojë punën normale të Parlamentit, duke e quajtur atë legjitim, bashkë me deputetët e rinj që pranuan mandatet.

“Ata ish-anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre. Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”

Ambasada e Shteteve të Bashkura të Amerikës

Në të njëjtën linjë me SHBA, ishte edhe delegacioni i Bashkimit Europian që bën thirrje për vetëpërmbajtje në protestën e së shtunës, ndërsa kërkon një dialog urgjent mes palëve.

“Protesta, mjet demokratik, por duhet ushtruar në mënyrë paqësore, pa përdorur dhunën. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Të krijohet një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, edhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit. Shqipëria ka nevojë për një dialog ndërpartiak për reformat më urgjente, duke përfshirë reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE /ODIHR”

Ambasada e Bashkimit Europian

Kjo është protesta e 5-të e opozitës dhe për të 5-tën herë, ndërkombëtaret kanë pasur reagime që i kanë paraprirë ato.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN