Skuadra e vetme të cilën Messi nuk e ka mundur dot

Në moshën 31-vjeçare, Lionel Messi vazhdon të vendosë rekorde te Barcelona. Të mërkurën, në fitoren kundër Lyon në Champions League, argjentinasi arriti me Barcelonën çerekfinalen e kompeticionit më të rëndësishëm europian për herë të 12-të rresht. Ndërkohë që realizoi edhe fitoren e 476-të me fanellën e Barcelonës, duke barazuar rekordin e mbajtur nga Xavi.

Të gjitha këto fitore, sipas arkivës së vetë klubit katalanas, janë arritur ndaj 84 nga 85 skuadrave kundër të cilave argjentinasi ka luajtur. E për befasi të të gjithëve, skuadra e vetme të cilën Messi nuk ka arritur të fitojë është UDA Garamenet, skuadër që militon në “Segunda Catalana Division”, kategoria e gjashtë e futbollit spanjoll.

Akoma më i habitshëm është fakti që klubi anonim ka arritur të fitojë kundër Barcelonës në një ndeshje të Kupës së Mbretit të vitit 2004-2005, me rezultatin 1-0, ku Messi ishte titullar. Ai nuk ka pasur më kurrë mundësinë të luajë kundër tyre, duke bërë që klubi i vogël të krenohet si i vetmi që ka arritur të fitojë kundër yllit të futbollit botëror.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN