Veliaj: Nuk dal mbi kohën, festojmë në 17 mars

Në 14 mars nuk ra shi me gjyma në Tirane, por Erion Veliaj thotë se nuk mund të dalë mbi kohën. Pas sulmeve për ndryshimin e festimeve të Ditës së Verës për shkak të motit, Kryebashkiaku sqaron për  A2CNN vendimin për zhvendosjen e festës.

“Unë nuk haj inat me kohën, festat nuk i bëjmë për kalendarët, por për njerëzit. Në një ditë me 50 aktivitete, më mirë nëse i bën në një ditë me diell dhe jo me shi”, thotë Veliaj. Por a do të jetë 17 marsi anti-protesta e opozitës? “Nuk kemi asgjë për të provuar. Kush mendon se e bën më mirë se ne këtë punë, të paraqitet më 30 qershor sepse kemi zgjedhje”.

Kryetari i Bashkisë ka edhe një mesazh për opozitën që proteston mes dy ditëve për festimet e ardhjes së pranverës. “Është superbiznes për qytetin. Bëjnë ndonjë papastërti, por edhe shpenzojnë. Le të qëndrojnë edhe për Ditën e Verës dhe të shpenzojnë lekët e deputetëve, që të lulëzojë edhe ekonomia e qytetit tonë”.

Tashmë kandidati zyrtar i Partisë Socialiste për mandatin e dytë të Bashkisë, Veliaj është në pritje të kandidaturave rivale. “Kam qenë në fushatë përditë këto katër vjet. Mezi po pres, një, dy, ose disa kandidatë, sepse kështu ka edhe debat se kush e bën më mirë këtë punë”

Ndërkaq, ditën e diel, Veliaj fton qytetarët t’i bashkohen festimeve dhe mbi 50 aktiviteteve që do të zhvillohen në Tiranë, duke shpresuar që koha të mos zhgënjejë përsëri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN