Basha-ndërkombëtarëve: S’ka stabilitet pa barazi para ligjit

Lulzim Basha, së bashku me një pjesë të madhe të protestuesve, u zhvendos nga Parlamenti në selinë e PD, nga ku u shpreh para protestuesve se protesta e sotme ishte historike. “E sotmja hyri në historinë tonë të pas komunizmit si dita e dytë e zgjimit kombëtar”, tha Basha.

Ai tha se ishte bashkimi më i madh që sheshi dhe bulevardi ka njohur në historinë e tyre.

“Për këtë të gjithë ju kanë një borxh mirënjohjeje ju, misionarëve të lirisë, misionarëve të demokracisë, të Shqipërisë si gjithë Europa.

Sot, më në panik se kurrë, kufoma politike e Edi Ramës dhe klikës së tij kriminale, përshkallëzoi dhunën e paprovokuar ndaj protestuesve me të vetmin qëllim për t’i shpërndarë, trembur e larguar nga rruga e protestës. Por përgjigjen e mori nga populli.

Duart e gjata të krimit që dhunojnë nënat dhe motrat tona për të mbrojtur një qeveri kriminale do të mbajnë përgjegjësi para ligjit dhe para jush. E gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota e ka parë sot vendosmërinë e një populli të bashkuar për liri dhe demokraci, për vlera europiane dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së Edi Ramës.

Ne do ta hedhim në lumë qeverinë e tij kriminale, departamentin e tij të krimit. Nuk ka rrugë tjetër për të rikthyer demokracinë përveç protestave popullore”, u shpreh kreu demokrat.

Ndërkohë, Basha iu drejtua edhe ndërkombëtarëve, duke u thënë se nuk ka stabilitet pa barazi para ligjit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN