Mbyllet protesta e opozitës mes gurëve, gazit dhe ujit

Ndiqni live protestën në A2 CNN 👇

14:44 – Po ashtu si edhe katër protestat e para të opozitës edhe protesta e kësaj të shtune është mbyllur në selinë e Partisë Demokratike, atje ku Lulzim Basha mbajti fjalën e tij. Basha u shpreh para protestuesve se protesta e sotme ishte historike. “E sotmja hyri në historinë tonë të pas komunizmit si dita e dytë e zgjimit kombëtar”, tha Basha.

14:41 – Basha-ndërkombëtarëve: S’ka stabilitet pa barazi para ligjit

14:15 Policia me megafon: Protestuesit të largohen për 5 minuta
Policia, thirrje me megafon Gazmend Bardhit që të largojë protestuesit brenda 5 minutave, në të kundërt do të përdoren mjetet sipas ligjit.

“Nga protuestuesit po kryhen akte të rënda dhune ndaj punonjësve të policisë, po cënohet rendi publik dhe siguria e qytetarëve.
I NDERUAR ZOTI GAZMEND BARDHI !
Si organizator i tubimit , ju lutemi kërkoni nga protestuesit të ruajnë qetësinë.
Protestuesit duhet të ndërpresin veprimet e dhunshme dhe të shpërndahen.
Ju bëjmë thirrje të distancoheni nga këto veprime të dhunshme
Veprimet e protestuesve janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal.
Në rast se për 5 minuta nuk do të ndërprisni veprimet e kundraligjshme turma do të shpërndahet forcërisht nga Policia e Shtetit e cila do të përdorë forcën dhe mjetet e saj, sipas ligjit”.

14:10 – Një pjesë e protestuesve zhvendosen pranë përmendores së Azem Hajdarit, ndërsa Basha është nisur me një pjesë të protestuesve drejt selisë së Partisë Demokratike.

13:59 – Reagon Presidenca: Protestoni paqësisht, larg provokimeve

Protesta e opozitës, e nisur prej orës 11:00 te Kryeministria, është zhvendosur te Parlamenti ku ka pasur edhe konfrontime mes protestuesve dhe policisë.

Ndërkohë për protestën ka ardhur edhe reagimi i Presidencës. Në një deklaratë për mediat thuhet se Presidenti i Republikës është duke ndjekur me shqetësim situatën.

Presidenti bën thirrje për demonstrim paqësor dhe ruajtje të qetësisë. Ai u kërkon të gjithëve të evitojnë konfrontimet dhe të qëndrojnë larg provokimeve.

13:55 – Një autobot i Policisë ka hedhur ujë ndaj protestuesve të vendosur pranë pedonales për t’i shpërndarë ata, të cilët janë kundërpërgjigjur duke hedhur gurë e sende të tjera në drejtim të saj. Protestuesit janë vendosur prej disa minutash pranë Parlamentit, edhe jo aq të shumtë në numër sa ishin para Kryeministrisë.

13:35 – Rritet tensioni para Parlamentit pasi protestuesit janë rigrupuar aty dhe po hedhin gurë e sende të tjera në drejtim të forcave të policisë që mbajnë të rrethuar godinën. Disa protestues të tjerë po përpiqen të shkulin gardhin rrethues të godinës nga ana e Pedonales.

13:25 – Një pjesë e protestuesve që janë mbledhur para godinës së Parlamentit kanë tentuar të futen brenda rrethimit duke bërë që policia të hedhë ndaj tyre gaz lotsjellës. Turma është shpërndarë, ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve vazhdojnë të qëndrojnë rreth Parlamentit, e të tjerë zbritën deri në Urën e Tabakëve.

12:45 – Protestuesit marshojnë drejt sheshit “Skënderbej” pas thirrjeve të Flamur Nokës.

12:05 – Flamur Noka: Ata janë të rrethuar, do vazhdojmë protestën

Pavarësisht nga sa u tha një ditë më parë se në protestën e opozitës nuk do të kishte fjalime politike, ka qenë ish-deputeti Flamur Noka, i cili ka folur para protestuesve.

Ai i ka kërkuar qytetarëve të vijojnë protestën, ndërsa është shprehur se tashmë kryeministria është e rrethuar. “Ata janë të rrethuar do vijojnë të qëndrojmë në protestë”.

11:45 – Tensionohet situata në protestën e opozitës, ku është parë edhe një prej protestuesve i gjakosur. Ndërkohë, një pjesë e njerëzve të mbledhur nga opozita në protestë kanë nisur të rrethojnë selinë e Kryeministrisë. Nuk kanë munguar edhe prishjet e gardhit rrethues që policia kishte bërë në pjesën e pasme të godinës, pranë Piramidës.

11:40 – Berisha: Rama fshihet në tunelet e Skraparit, s’mund t’i fshihet “cunamit” popullor

Sali Berisha u shpreh për A2 CNN nga protesta e opozitës se Edi Rama nuk mund t’i fshihet cunamit popullor, siç e quajti ai.

“Mirënjohje të pakufishme ndaj atyre që sot firmosin betejën fitimtare nga kakistokracisë. Edi Rama ia ka mbathur sërish ditën e sotme. Edi Rama ka shkuar të tunelet e Skraparit. Ky është një cunam popullur dhe Rama nuk mund t’i fshihet”, u shpreh Sali Berisha.

11:22 – Kiri Hajdari i bashkohet protestës së opozitës

Edhe pse Rudina Hajdari vendosi të mos heq dorë nga mandati i deputetit, vëllai i saj Kiri Hajdari është bërë sërish pjesë e protestës së opozitës ditën e sotme.

11:20 – Protestuesit mblidhen te Kryeministria, hedhin kapsolla në drejtim të policisë.

11:13 – Basha del nga selia e PD dhe niset drejt Kryeministrisë

11:00 – Protestuesit: Në shesh deri në largimin e Ramës

Protesta do të jetë paqësore. Ai burri i gjatë duhet ta dijë që thesin e miellit nuk e kemi në shtëpi. Do të qëndrojmë në shesh deri në largimin e Ramës.

10:45 – Një pjesë e madhe e protestuesve është mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”

10:35 – Dashamir Shehi: Nuk pyesim për lejen e policisë.

“Nga protesta presim masivitet. Këtë punë e bëjnë numrat. Rama të bëjë ç’të dojë. Ne nuk na intereson fare”, u shpreh Shehi për A2 CNN.

10:00 – Salianji: E vendos populli sa do të qëndrojmë

Opozita mban protestën e pestë ditën e sotme, ndërsa mësohet se PD ka kërkuar leje për 48 orë.

Ndërkohë, i pyetur nga A2 CNN, ish-deputeti i PD Salianji, është shprehur se do ta vendosë populli se sa do të qëndrojnë në protestë.

“Me masivitetin e tij, populli do të tregojë se nuk është dakord që në vitin 2019 të ketë një sistem komunist. Sa do të qendrojmë në shesh, këtë besoj se do të vendosë populli. Ne tashmë jemi pa mandat dhe do të dëgjojmë zërin e qytetarëve. Dhe do të protestojnë ashtu si qytetarët do të kërkojnë”, tha ish-deputeti i PD.

Sa i përket deklaratës së një dite më parë në lidhje me situatën politike në Shqipëri, Salianji është përgjigjur: “Nuk dua të komentoi deklaratën, por ambasada nuk ka mohuar krizën politike në vend dhe DASH e ka bërë Shqipërinë një autokraci të plotë”, u shpreh Salianji.

09:40 – PD pritet të mbledhë grupin. Ndërkohë, burimet konfirmojnë për A2 CNN se në protestë do të flasin qytetarët.

09:25 – Protestues nga rrethet drejt Tiranës

Protestuesit nga Vlora prej orës 06:00 të mëngjesit janë nisur në drejtim të Tiranës. Nisja e tyre nga Vlora është kryer në tre pika të ndryshme, ndërsa protestues të tjerë janë nisur prej orëve të para të mëngjesit edhe nga fshatrat e Vlorës. Nga PD thuhet se numri i protestuesve të nisur nga Vlora është më i madh se në protesta e para.

09:10 – Dera e Kryeministrisë me llamarinë, hiqen xhamat

Derës së Kryeministrisë ditën e sotme i janë hequr xhamat, duke i zëvendësuar ato me llamarina. Kjo masë vjen pas protestës së 16 shkurtit, kur protestuesit thyen xhamat e derës. Ndërkohë janë hequr edhe skelat që qëndronin prej më shumë se një maji në derën kryesore të Kryeministrisë.

***

Opozita ka thirrur sot qytetarë nga e gjithë Shqipëria në protestën e pestë, pas një muaji nga 16 shkurti.

Ajo ka bërë thirrje për një pjesëmarrje masive në protestën përballë Kryeministrisë, që sipas njoftimit që ka bërë në polici, synon ta mbajë 48 orë.

Mësohet se kërkesa e Partisë Demokratike ka qenë për një protestë që niste në orën 11:00, për të vijuar për 48 orë me radhë. Një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga Policia e Shtetit, e cila ka kërkuar që protesta e opozitës të përfundojë brenda orës 00:00 të ditës së shtunë.

Gjithashtu, në përgjigjen e policisë nuk pranohet kërkesa për të protestuar në rrugën “Ismail Qemali”, që ndan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me hotel “Rogner”.

Policia ka rrethuar me një gardh perimetrin e kryeministrisë. Te gjitha makinat, që hyjnë në bulevard i nënshtrohen me pare një kontrolli policor, duke mbajtur shënim edhe targën.

Gjithashtu, në të gjithë hapësirat rreth godinës së Këshillit të Ministrave janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për të filmuar dhe dokumentuar çdo akt dhune apo tentativë të protestuesve për të hyrë në Kryeministri. Edhe shtyllat, në të cilat janë vendosur kamerat, janë të lyera me graso për të mos lejuar dëmtimin e tyre nga protestuesit.

Mësohet se 2 mijë forca policie janë në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës. Opozita thirri protestën e parë për këtë vit më 16 shkurt. Ajo kërkon largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie tranzitore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të lira e të ndershme.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN