Protestuesit me gurë, policia i shpërndan me gaz dhe ujë

Pas 2 orësh grumbullimi e disa marshimesh para Kryeministrisë, protesta mori një kthesë të papritur.

Përkrahësit e opozitës, të orientuar nga drejtuesit e saj, iu drejtuan Kuvendit të Shqipërisë, atje ku kishin protestuar dhe 2 herë të tjera.

Lëvizja e gjeti të pa përgatitur Policinë e Shtetit, e cila kishte pozicionuar në godinën e Parlamentit vetëm pak efektivë.

Kapsollave dhe tymuesve që hodhën në drejtim të policisë, te Kryeministria protestuesit i shtuan dhe gurët.

Sulmi u përqendrua në të dyja hyrjet e Kuvendit, atë qendrore dhe atë nga pedonalja. Por këtë herë policia u kundërpërgjigj. Gazi lotsjellës shpërndau disa herë turmën, që ndërkohë kishte nisur të shkatërronte rrethimin e Kuvendit. Bashkë me gazin, u vunë në përdorim dhe makinat ujëhedhëse.

Ndërkohë nga tarraca e Parlamentit, drejtuesit e policisë i bënin thirrje sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhit të largonte protestuesit, në të kundërt do të përdorte forcën.

Ndonëse zgjati më pak se një orë, pa përplasja, pati disa të lënduar, si në radhët e protestuesve ashtu dhe forcave të rendit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN