Protestuesit në Beograd hynë në ndërtesën e televizionit shtetëror, ndërhyn policia

Edhe në Beograd e shtuna i takoi protestave, të cilat u cilësuan si më të rëndat e muajve të fundit, pasi protestuesit u futën në godinën e Radiotelevizionit shtetëror.

Me dhjetëra protestues dhe disa prej udhëheqësve të opozitës u futën në ambientet e Radiotelevizionit pasi kërkuan që protestës së tyre t’u jepet hapësirë në televizionin publik. Edhe pse ata deklaruar që nuk do të lëvizin nga aty, policia ka ndërhyrë në orët e mbrëmjes duke i nxjerrë nga godina protestuesit.

“Tubimet janë të lejuara, por jo duke dëmtuar pronën apo duke ngjallur frikë”, reagoi shefi i policisë së Beogradit, i cili iu drejtua protestuesve se ka marrë urdhër nga ministri i Brendshëm për t’i nxjerrë nga ndërtesa.

“Shtetit do t’i duhet të përgjigjet dhe secili që ka kryer dhunë në RTS do të përgjigjet. U bëj thirrje të gjithëve që kanë hyrë në RTS të shpërndahen në mënyrë të qetë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe policia do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur gazetarët e RTS-it. I bëj thirrje Aleancës për Serbinë që të ndalojë dhunën dhe të gjithë ata që kanë hyrë, të largohen nga ndërtesa e RTS-it”, tha Stefanoviç.

Por një nga udhëheqësit e opozitës, Boshko Obradoviç, reagoi ndaj këtyre deklaratave, duke u shprehur se nuk ka dhunë dhe nuk po shkelet ligji.

Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë prej 8 dhjetorit, ndërsa janë shtrirë edhe në disa qytete të tjera. Kërkesa kryesore e protestuesve është largimi i Aleksandar Vuçiç.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN