Vetoja e parë e Trump, mbron shpalljen e gjendjes së emergjencës në kufi

Presidenti amerikan Donald Trump përdori për herë të parë të drejtën e vetos. Për të vijuar me planin e tij për ndërtimin e murit kufitar, ai pengoi rezolutën e Kongresit që rrëzonte shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare.

“Kongresi ka fuqinë ta aprovojë këtë dhe unë kam mundësinë t’i vendos veto. Dhe jam shumë i lumtur ta bëj këtë”, tha Trump.

Kjo erdhi pasi Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati aprovuan një rezolutë që bllokonte shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare në mënyrë që Trump të financonte ndërtimin e murit në kufirin jugor.

“Kjo deklaratë është precedent i rrezikshëm”, u shpreh Lamar Alexander, senator republikan.

“Kjo për mua është mbrojtje e kushtetutës dhe balancim pushteti”, tha Mitt Romney, senator republikan.

Presidenti ka theksuar nevojën e menjëhershme për një mur kufitar që në fushatën elektorale. Menjëherë pas votimit, ai shkruajti në Twitter thjeshtë “VETO”.

“Është pa dyshim emergjencë kombëtare. Rrallë kemi pasur një të tillë”, u shpreh Trump.

Në total 12senatorë republikanë votuan kundër emergjencës kombëtare, por do të duhen dhe 8të tjerë për të rrëzuar këtë veto. Demokratët paralajmërojnë se këto zhvillime do të kenë pasoja të rënda pasi presidenti po arrin të marrë fonde me një emergjencë e cila nuk ekziston. Kongresi arriti një ujdi për 1.3 miliard dollarë gjatë këtij viti për sigurinë kufitare por presidenti shpalli emergjencën kombëtare për të përfituar miliarda dollarë më shumë për murin. Vendimi I tij pritet të bllokohet në Gjykatë pasi shtete të ndryshme federale kanë ngritur padi.

Shkarkoni aplikacionin e A2