Kongresi i PS më 23 mars, ftesë edhe për Fatos Nanon

Partia Socialiste ka mbledhur grupin parlamentar këtë të hënë, nga ku mësohet se kryefjalë është kongresi i kësaj partie që do të mbahet me 23 mars në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve.

Burime nga mbledhja e grupit të PS për A2CNN bëjnë të ditur se Rama kërkon pjesëmarrje maksimale në Kongres pa mungesa. “Në seancat parlamentare flisni të gjithë, jemi në normalitet parlamentar. Nisni diskutimet nëpër bashki për kandidatët për Këshill Bashkiak. Në fund në listë vendosim njerëzit me kontribute”.

A2 CNN ka mësuar se Kongresi do të jetë i ndarë në tre sesione të ndryshme. Fjalën kryesore do ta mbajë kryetari Edi Rama. Do të shpallet lista e këshilltarëve bashkiakë vetëm për Tiranën. Do të ketë fjalime nga disa prej ministrave.

Mësohet se do të flasin gjithashtu edhe disa prej kryetarëve të bashkive kryesore në vend. Ndërkohë, fokusi do të jetë vetëm për zgjedhjet lokale 2019.

Gjithashtu mësohet se nuk do të shpallet ende lista e plotë me kandidatët për kryetarë bashkish. Ftesë për të marrë pjesë në Kongres i është dërguar edhe Fatos Nanos, si dhe të gjithë kryeministrave socialist ndër vite.

Shkarkoni aplikacionin e A2