Kuvendi në normalitet, konferenca e kryetarëve: Seancë të enjten në 10:00

Jeta parlamentare i kthehet normalitetit. Pas tre javësh zhvendosjeje, këtë javë seanca parlamentare do të zhvillohet të enjten në orën 10:00.

Lajmi konfirmohet për A2CNN nga burime brenda konferencës së kryetarëve, e zhvilluar paraditen e sotme.

Ndërkohë, burime nga mbledhja e grupit të PS, citojnë kryesocialistin Edi Rama që t’i ketë kërkuar të tijve që të shfaqen natyrshëm në salle. “Në seancat parlamentare flisni të gjithë, jemi në normalitet parlamentar”, mësohet të jetë shprehur Rama.

Ndërkohë, ende nuk ka një vendimmarrje nga selia blu, nëse do të thërrasë sërish protestë përpara parlamentit.

Mesditën e sotme, kreu demokrat Lulzim Basha ka nisur javën me takimet me përfaqësues të Partisë Demokratike.

Ai thirri në një takim kolegjin e kryetareve të degëve, për të diskutuar pikërisht për strategjinë e opozitës, tashmë kur aksioni opozitar shënon një muaj pas organizimit të protestave dhe djegies së mandateve të deputetëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN