Një muaj protesta: “Po vazhduan protestat masive, skema e ndërkombëtarëve mund të ndryshojë”

Opozita e gjykoi protestën e dy ditëve më parë si  më të madhen e saj, por jeta politike në Tiranë vazhdon mes deklaratash në distancë dhe pa hapa konkrete të cilët do të zgjidhnin krizën.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta tha sot se klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari. Për të diskutuar mbi skenarët q\ po përgatisin palët politike në vend, ishin të ftuar në A2 analistët Mentor Kikia dhe Fitim Zekthi.

Kikia komentoi deklaratën e presidentit Meta për influencën ruse në rajon, si të ”rreshtuar me opozitën”.

Zekthi mendon se “edhe pse synimi i Metës është ai që të jetë një president i fortë”, ai nuk ka kompetencat e plota për ta bërë këtë”. Në rastin konkret, Zekthi i jep të drejtë Metës kur thotë që ekzekutivi nuk duhet të flasë për ndikim rus, sepse “këtu kemi tejkaluar edhe akuzat e Mehmet Shehut për armikun e jashtëm”.

Mendimit të Kikias që “opozita nuk ka përballë vetëm Kryeministrin, por gjithë faktorin ndërkombëtar” dhe se kjo mund të demotivojë opinionin publik shqiptarë që ndër vite është mësuar të jetë i “ndikuar katërçipërisht nga faktorët e jashtëm”, Zekthi i kundërpërgjigjet duke vërejtur se “me përjashtim të Maduros, nuk ka qeveri në botë që quhet sot ilegjitime nga faktori ndërkombëtarë, as Egjipti i Al Sisit ose Korea e Veriut”.

Analisti shton se “ndërkombëtarët ecin me skema, dhe nuk mund t’i hapin kurrë derën destabilitetit”, por që vazhdimi i protestave masive mund të ndryshojë këto skema dhe si pasojë edhe qasjen e ndërkombëtarëve. Por këtu Kikia thekson se “qytetarët nuk presim vetëm ndryshimin  e qeverive, por ndryshimin  e sistemit dhe staus quo që ka garantuar deri tani mbijetesën e kësaj klase politike”. Ai shton se jemi vend evropian dhe nuk mund të ketë skenar egjiptian, dhe nuk mund të pretendojë që qeveria të dorëhiqet me dy javë protestë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN