Projektligji, Qeveria merr nën administrim pasuritë e sekuestruara

Qeveria po përgatit një nismë që të marrë nën administrim të gjitha pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara nga aktivitet e paligjshme, për të cilat Gjykatat ende nuk janë shprehur me vendim të formës së prerë dhe që ligjërisht deri më tani, u ka takuar atyre t’i menaxhojnë.

Kjo pasi shumë nga këto pasuri kanë degraduar ose janë lënë në mëshirë të fatit, siç thekson edhe relacioni që shoqëron projektligjin e Ministrisë së Financave, pasi Gjykatat nuk kanë kapacitete për t’i menaxhuar.

Drafti, i hedhur për konsultim publik, përcakton forcimin e Agjencisë së Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara me 8 deri në 19 punonjës të tjerë, të cilët do të bëjnë menaxhimin e të gjithë pasurive të sekuestruara ose konfiskuara. Sipas projektligjit, do të duhen fonde shtesë duke filluar nga ky vit e në vazhdim, që do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Forcimi i agjencisë do të bëjë të mundur edhe evidentimin e saktë të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, gjë që aktualisht mungon. Nëse me pronat e paluajtshme të vëna në sekuestro identifikimi është i lehtë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pasuritë e luajtshme, të cilat në jo pak raste, pas proceseve gjyqësore kanë rezultuar të humbura.

Shkarkoni aplikacionin e A2