Shkodër, arrestimi i fajdexhinjve, avokati: Aksionet ‘flluska’ sapuni

 Pesë ditë pas arrestimit të 12 personave të akuzuar se jepnin para me interesa të larta jashtë sistemit bankar, ka thyer heshtjen një prej avokateve mbrojtës të të pandehurve.

Anton Kosteri, i cili mbron në këtë proces interesat ligjore të të arrestuarit Vinko Nikprelaj, shprehet se më shumë se gjysma e personave të arrestuar nuk duhej fare të ndaloheshin, pasi sipas tij nuk ka asnjë provë që ti lidhë ata me dhënien e parave borxh në të zezë apo kryerjen e kërcënimeve ndaj ish prefektit, i cili ka bërë edhe kallëzimin për këtë çështje.

Duke shprehur bindjen e tij se kjo çështje është bërë më tepër si show, avokati Kosteri përmend disa operacione të mëparshme arrestimesh të bujshme të prokurorisë dhe gjykatës së Shkodrës që kanë rezultuar në fund me pafajësinë e të arrestuarve”.

“Në vitin 2016 janë arrestuar punonjës të Hipotekës, në 2017 janë arrestuar profesorë, në 2018 mjekët. Të gjithë këto operacione kanë fituar pafajësi në Apel. Arrestime të tilla për të bërë show po kthehen në flluska sapuni”, thotë Kosteri.  

Ndërkohë të 12 të arrestuarit për çështjen e fajdeve, kanë apeluar vendimin e gjykatës së Shkodrës për sa i takon vendosjes së masave të sigurisë arrest me burg.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN