Ç’po ndodh me Gjirokastrën? Çipa: “Pamjet tronditëse”; Kumbaro: “Qyteti po kthehet në identitet”

Pamjet e shkuljes së kalldrëmit karakteristik të Gjirokastrës u përhapen me shpejtësi javën që kaloi në rrjetet sociale. Por si trajtohen qendrat historike të qyteteve tona, më konkretisht ajo e Gjirokastrës, si ruhen dhe administrohen ato? A duhet te kemi një qasje me te kujdesshme ndaj trashëgimisë kulturore?

Në studion e A2, për të folur për Gjirokastrën dhe jo vetëm, por edhe për situatën politike në pjesën e dytë të emisionit ishin dy gjirokastritë të njohur, znj. Mirela Kumbaro, deputete e PS-së dhe ish ministre e Kulturës,  dhe Aleksandër Çipa,  gazetar dhe analist.

Sipas Kumbaros, në Gjirokastër po punohet me projekte të mëdha, që marrin parasysh kompleksitetin e qytetit të mbrojtur nga UNESCO. Sipas ish ministres, projektet nuk janë thjeshtë “fasadë”, si cilësohen nga opozita, por kanë sjellë një zhvillim të dukshëm, me fazën e parë të punimeve që ka rijetësuar godinat e Qafës së Pazarit, zemrës aktive të Gjirokastrës historike, godina që duke qenë “pronë privatë kanë marrë edhe një vlerë të humbur ndër vite”.  


Mirela Kumbaro dhe Aleksandër Çipa

Ministria është e qartë dhe e vendosur kur thotë se faza e dytë, që përfshin heqjen e kalldrëmeve “është e nevojshme, trazon biznesin në përditshmërinë, por ama do të bëhet njëherë e mirë”, duke nënvizuar edhe faktin që pjesë e mirë e tyre daton jo më larg se vitet ’70.  

Aleksandër Çipa vlerëson objektivat e projektit në fjalë, duke e cilësuar madje si “investimi më i madh për të ruajtur dinjitetin  e pjesës aureolike të qytetit”, por nuk mund të fshehë ”tronditjen” ndaj pamjeve që ka përjetuar disa ditë më parë, dhe shtron pyetjen nëse ekziston mënyra e bllokimit total të atyre rrugëve deri në restaurim, sepse në gjendjen e sotme të punimeve “impakti mbi turistët e brendshëm dhe të jashtëm do të ishte tejet negativ”, dhe i padrejtë për bukurinë e qytetit.

Kumbaro i përgjigjet kësaj pamje duke thënë se “traumat e vogla mund të menaxhohen”, ashtu siç ka ndodhur në fazën  e parë, kur dyqanet kanë bashkëjetuar për gati një vit me skelat e restaurimit, “falë një mirëkuptimi të ndërsjellë”. Për Kumbaron, trauma e vërtetë për zonën muzeale të qytetit është qarkullimi i automjeteve, dhe deklaron se Pazari “ nuk është bërë për makina, dhe duhet patjetër pedonalizuar”, si në çdo qytet të tillë në Evropë, dhe siç parashikon edhe plani që do të sjellë në ndërtimin e një bypass-i.

Por falë këtyre punimeve, ajo vëren se qendra dikur e heshtur gjatë natës, po fillon të popullohet “deri në orën 10-11 të natës”, dhe se rikthimi i identitetit muzeal do të lehtësojë edhe zvogëlimin e një problemi madhor që bashkon të dy të ftuarit: Shpopullimi i “qytetit të gurtë”.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN