PE flet për anëtarësimin, Danielsson: Shume vende kanë bërë hapa prapa

Sundimi i ligjit në procesin e anëtarësimit në BE ishte në fokus të debatit të zhvilluar të hënën në komisionin për punët e jashtme dhe liritë civile të Parlamentit Europian.

Europarlamentarët dhe ekspertët shqyrtuan gjithashtu progresin e shënuar nga shtetet kandidate për të përmbushur kushtet dhe kriteret e Kopenhagenit. Pjesëmarrës ishte edhe presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, i cili tha se organizmi i drejtuar prej tij ka përgatitur një listë të vlefshme kontrolluese sa i përket sundimit të ligjit. Ai e vuri theksin te fakti se Gjykatat Kushtetuese duhet të jenë të pavarura.

“Pavarësia është e rëndësishme për gjykatat kushtetuese pasi ato duhet të bëjnë një balancë mes shumicës dhe pakicës për mbrojtjen e sundimit të ligjit në shumicën e vendeve kandidate. Politikanët, shpesh, tundohen për t’i sulmuar këto gjykata, kur nuk i pëlqejnë vendimet e tyre”, tha Gianni Buquicchio.

Drejtori i përgjithshëm për fqinjësinë e mirë dhe negociatat e zgjerimit në Komisionin Europian, Christian Danielsson tha se shumë prej vendeve që aspirojnë t’i bashkohen BE, janë shumë larg përmbushjes së kritereve.

“Në disa prej tyre vihen re hapa prapa”, tha Danielson. Disa prej ekspertëve të pranishëm bënë thirrje për rritje te trysninë kundër liderëve politikë në Ballkan.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN