Projekti Veliera, nisin punimet nën monitorimin e arkeologëve

A2 CNN ka rrugëtuar drejt Durrësit, në sheshin e punimeve për projektin Veliera, që është një investim i Bashkisë, i mbështetur nga qeveria shqiptare. Veliera është projektuar për të ndërtuar një shesh të ri përballë kullës veneciane dhe hyrjes së portit të Durrësit, me sipërfaqe 12 mijë metra katrorë dhe një kosto prej më shumë se 5 milionë euro.

Punimet për këtë projekt nisin në fillim të vitit të shkuar, dhe nga gërmimet për zbatimin e projektit nxorën në dritë objekte arkeologjike që datojnë që nga shekulli i 4-t para erës sonë si dhe konakun e Princ Vidit.

Pas këtyre zbulimeve ka reaguar shoqëria civile që doli në mbrojtje të objekteve dhe fortifikimeve që mendohet se po shkatërroheshin. Gjykata urdhëroi që punimet të ndërpriten, por sot në këtë shesh me një tjetër urdhër gjykata punimet kanë rifilluar, me kushtin e vetëm që specialistët e arkeologjisë të monitorojnë punimet më tej.

“Kemi nënshkruar një kontratë, dhe rifillimi i punimeve do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga specialist të trashëgimisë. Unë si arkeolog jam çdo ditë këtu sapo nisin punimet në mëngjes e deri pasdite, në mënyrë që të monitoroj çfarë do të dalë gjatë gërmimeve”
Bledar Bica, specialist i trashëgimisë, arkeolog

E ndonëse prej këtij momenti ky projekt do të monitorohet, nuk dihet ende cili ishte fati i objekteve dhe fortifikimeve që janë zbuluar gjatë gërmimeve të mëhershme.

Projekti i ri, me xhama, për të vizituar fortifikimet

Projekti Veliera në Durrës, projektuar nga arkitekti italian Marco Casamonti, përfshin ndërtimin e një mbikalimi këmbësorësh prej betoni që lidh sheshin përpara hyrjes së portit me rrugën “Tregtare”. Gjykata e Apelit ka vendosur rifillimin e punimeve, por me ndryshime në plan. Projekti i ndryshuar parashikon ndërtimin mbi zbulimet arkeologjike, duke krijuar disa porta prej xhami në tokë prej në mënyrë që vizitorët të vëzhgojnë rrënojat e fortifikimeve. Projekti i ri parashikon edhe një hyrje të posaçme vetëm për specialistët e monumenteve.

Shkarkoni aplikacionin e A2