Ujdia për Brexit, përplasje mes qeverisë britanike dhe Kryetarit të Parlamentit

Qeveria britanike do të shtyjë përpara ujdinë e kryeministres Theresa May për Brexit, pavarësisht se kryetari i Dhomës së Komunëve shtoi paqartësitë rreth këtij procesi.

Sekretari për Brexit, Stephen Barclay, sugjeroi se një votim mund të ndodhë javën e ardhshme, pasi shefja e qeverisë kërkoi një shtyrje të largimit zyrtar nga Bashkimi Evropian.

Kryetari i parlamentit britanik, John Bercow, tha të hënën se nuk do të lejojë që ujdia e May të hidhet përsëri për votim pa ndryshime thelbësore.

Ndërsa Barclay u shpreh për BBC se qeveria do të përpiqet të bindë deputetët të mbështesin marrëveshjen për Brexit. “Ne e kemi thënë gjithmonë, pavarësisht qëndrimit të kryetarit të kuvendit, se për të çuar përpara ndonjë votim duhet të shikojmë lëvizje nga deputetët. Nuk mendoj se kolegët e mi dëshirojnë të shikojnë një Brexit të tejzgjatur. Mendoj se për ta do të ishte shumë e lodhshme.”

Opsioni i mbajtjes së një votimi të ri për ujdinë e May bëhet më i realizueshëm duke marrë parasysh që vendimi i Bercow mund të rrëzohet nga deputetët.

Por për këtë, qeveria britanike duhet të bindë deputetët. Sekretari për Brexit tha se ridërgimi i marrëveshjes për votim varet nga përgjigjet që do të marrë May nga BE.

Një zyrtar i Rumanisë, vend i cili kryeson presidencën e bllokut, bëri me dije se për shtyrjen e largimit zyrtar dhe për çështje të tjera duhet të vendosin të gjithë liderët. Për këtë, May do të takohet gjatë kësaj jave me krerët e BE-së.

Shkarkoni aplikacionin e A2