I pari restorant nënujor në Europë, në ujërat e Detit të Veriut

Të darkosh nën ujë, tashmë është e mundur edhe në Evropë. Restoranti i parë i këtij lloji në kontinentin e vjetër u hap të mërkurën në Norvegji. 7 mijë vetë kishin prenotuar për të ngrënë mes peshqve.

 I pozicionuar në pjesën më jugore të Norvegjisë, restoranti duket si një tub betoni i zhytur pjesërisht në detin e veriut. Ai quhet Under, që do të thotë “nën” në anglisht dhe “mrekulli” në gjuhën norvegjeze.

Atraksioni është dizenjuar nga firma arkitekturore Snoehetta, e njëjta që ka krijuar shtëpinë e Operas në Oslo dhe memorialin kombëtar të 11 shtatorit në Nju Jork.

“Struktura që kemi krijuar fillon mbi ujë e përfundon në det në formën e një gypi prej betoni. Mendoj se gjëja më interesante është pikërisht kalimi nga sipërfaqja nën ujë, ku ekspozohet bota e mrekullueshme që gjendet atje”, thotë Kjetil Thorsent, themeluesi i Snoehetta.  

Kur hyn në Under, duket fillimisht sikur je në sauna, pasi pjesa e sipërme e restorantit mbulohet me dru. Por shkallët prej 8 metra lartësi të çojnë në sallën e poshtme të ngrënies ku mund të ulen 40 të ftuar.

Si mure, shërbejnë dritaret transparente gjigante që ofrojnë pamje spektakolare të oqeanit. Themeluesi i firmës Snoehetta thotë se konstruksioni mund të përballojë motin ekstrem.  Një drekë ose darkë me ushqime vendase deti mund të kushtojë rreth 430 dollarë për person, përfshirë pijet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN