Meta: I përgatitur të lë mandatin, nuk lejoj instalimin e një junte

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka lëshuar deklarata të forta nga Pogradeci në lidhje me situatën politike në vend.

Meta është shprehur se është i përgatitur të lërë mandatin dhe deri të sakrifikohet si Salvador Allende, për të mos lejuar instalimin e një junte.

“Edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet”, tha Meta.

“Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

“I kam dhënë argumentet për krizën. Nuk kemi Gjykate Kushtetuese. Kriza e qëllimshme. Po cenohet rendi Kushtetues. Veprimi i opozitës i dënueshëm dhe i papranueshëm. Kuvendi ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 që nuk dogjën mandatet, çdo numër tjetër është i kundërshtueshëm në të gjitha planet, politik, ligjor e moral. Mund të thirren 1 milion shqiptarë mbi 18 vjeç për të miratuar reformat, por kjo nuk e zgjidh krizën. Kriza nuk zgjidhet as me retorikë as me metoda policore, por me dialog dhe përpjekje serioze. Pasojat e krizës mund të jenë të rënda për shqiptarët. Si president kam bëre çdo përpjekje për te parandaluar krizën”, u shpreh Presidenti.

Shkarkoni aplikacionin e A2