Mali i Zi: Korrigjimi i kufijve, nuk është ideja më e mirë

Mali i Zi përkrah çdo opsion që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por korrigjimi i kufijve të territoreve, “nuk është ideja më e mirë”.

 Ky ishte mesazhi që përcolli gjatë vizitës në Prishtinë, ministri i Jashtëm malazez Srdjan Darmanovic.

“Ne shohim se ka koncepte të ndryshme rreth zgjidhjes se mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.  Një prej tyre është korrigjimi i territoreve. Kjo nuk është ideja më e mirë por nëse është e mirë për fqinjët tanë dhe ata merren vesh, atëherë do të jetë e mirë edhe për ne. Kemi qëllimin më të mirë, që në Ballkan të mbyllen çështjet e hapura”.

Gjatë konferencës së përbashkët  me homologun Behgjet Pacolli, Darmanovic po ashtu tha se zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi, do të nënkuptonte njohje reciproke të të dyja vendeve. Dy ministrat e Jashtëm u pyetën edhe për Marrëveshjen e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, e ratifikuar në 21 mars të vitit 2018 në parlamentin e Kosovës.

Të dy ata thanë se kjo çështje “është e mbyllur” dhe se tani është në dorën e komisioneve ndërshtetërore që të bëjnë delimitimin e kufirit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN